Matoshi tregon çfarë masa parashihen nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme për ajrin e ndotur

Sipas ministrit në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi, janë katër veprime të mëdha që në të ardhmen do të ndikojnë në ndaljen e ndotjes së ajrit në Kosovë.

Ai ka thënë se gjendja aktuale në Kosovë është jo e mirë në këtë aspekt, por ka thënë se sipas matjeve të përditshme, sivjet të dhënat janë më pozitive se vitin e shkuar.

Në Interaktiv të KTV-së, Matoshi ka thënë se janë disa masa që do të ndikonin në ndaljen e ndotjes së ajrit në vend, duke theksuar katër veprime të mëdha, që do të ndikojnë në periudhë më afatgjate për ndaljen e ndotjes.

Reklama e sponzorizuar

“Rajoni është i kapluar nga një ajër i ndotur, andaj kërkohet mbështetja e secilit qytetar, institucion, gjithë atyre që qarkullojnë në qytetin tonë me vetura. Qarkullimi më i vogël i veturave do të kishte një efekt, edhe përdorimi më i paktë i lëndëve djegëse. Ndoshta bashkë mund t’ia dalim. Veprimet e mëdha pritet të ndërmerren, ndërrimi i filtrave në Kosovën B, procesi i kogjenerimit, një tjetër projekt që është lansuar nga komuna e Prishtinës është për ngrohje solare në disa zona dhe futja dhe zbatimi i plotë i udhëzimit administrativ për matjen e emetimit të gazrave nga mjetet motorike. Janë më afatgjate, por që do të kenë efekt pozitiv”, ka thënë Matoshi.

Ministri në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka treguar disa nga masat që mund të merren nëse vendoset të shpallet gjendja e jashtëzakonshme si pasojë e ajrit të ndotur që po mbizotëron në Kosovë.

Ai ka thënë se si masë mund të përfshihet ndalimi i qarkullimit të veturave e madje edhe ndalja e termocentralit që do të sillte reduktime të rrymës për qytetarët.

“Duhet të shohim parametrat deri ku po arrijmë. Në pjesën më të madhe po qëndrojmë më mirë se Beogradi, Sarajeva, Shkupi, por do të varet nga kushtet meteorologjike. Është Instituti Hidrometeorologjik, departamenti i mjedisit e institucionet tjera nëse do të kemi nevojë për të diskutuar dhe për të shpallur këtë gjendje. Mund të ndalojë përdorimin e qarkullimit të veturave, normalisht pos rasteve emergjente. Ndoshta në ndonjë moment të caktuar, pasi duhet të përballemi me disa të këqija, ndoshta do të duhet të ndalim edhe termocentralin, duhet të kemi reduktime ndoshta, e kështu me radhë. Por s’dua të spekuloj përderisa s’jemi në këtë situatë. Po e përcjellim gjendjen në vazhdimësi”, ka deklaruar Matoshi në Interaktiv.


Matoshi tutje ka pranuar se qytetarët do të duhet të paguajnë edhe më shumë për kontrollimin teknik të veturave të tyre. Ai ka thënë se nga janari i vitit 2020 qytetarët do të paguajnë edhe për “pullën mjedisore”.

“Kur një veturë është në gjendje të mirë teknike, nuk prodhon gazra të tepërta në ajër, do t’i vendoset pulla mjedisore që tregon se kjo veturë mund të qarkullojë në rrugë. Këtë mund ta bëjnë te cilido kontrollues teknik. Kur të shkojmë ta bëjmë kontrollin teknik, do të jetë shtesë edhe ai për emetimin e gazrave. Sigurisht që do të paguhet shtesë. Ajo që njerëzit duhet të paguajnë është që patjetër duhet të kenë veturën teknikisht të rregullt dhe ambientalisht të pranueshme që të qarkullojë. Është e detyrueshme për të gjithë”, ka thënë ai.