Kthehet në rivlerësim tenderi për lumenjtë dhe përroskat

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka kërkuar nga Komuna e Vitisë që tenderi për rregullimin e lumenjve dhe përroskave të kthehet në rivlerësim, ngase janë gjetur shkelje në udhëheqjen e procedurave të prokurimit.

Për këtë ka pasur ankesa nga një operator ekonomik, i cili ishte ankuar se Komuna kishte bërë shkelje të Ligjit të prokurimit publik. OSHP-ja për këtë çështje kishte angazhuar edhe ekspertin e saj me qëllim vlerësimin e pretendimeve të operatorit, shkruan sot Koha Ditore.

“Operatori ekonomik ‘Arlindi’shpk si palë e pakënaqur me datën 06.06.2019 ka parashtruar ankesë pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit kundër njoftimit për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Rregullimi i lumenjve përroskave’ të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Kuvendi Komunal Viti duke pretenduar se autoriteti kontraktues nuk i ka respektuar në tërësi dispozitat e LPP-së”, thuhet në vlerësimin e OSHP-së.

Reklama e sponzorizuar

“Organi Shqyrtues i Prokurimit pas pranimit të ankesës në bazë të nenit 113 dhe 114 të LPP-së ka autorizuar ekspertin e OSHP-së për të shqyrtuar procesin e aktivitetit të prokurimit dhe vlerëshmërinë e gjitha pretendimeve ankimore të operatorit. Eksperti i OSHP-së ka dorëzuar raportin me të gjitha sqarimet dhe rekomandimin e tij lidhur me ankesën e lartpërmendur, me ç’rast ka vlerësuar se pretendimet e parashtruesit të ankesës operatorit ekonomik është e bazuar dhe rrjedhimisht i ka rekomanduar panelit shqyrtues që të aprovojë si të bazuar ankesën e OE-ankues dhe ky aktivitet i prokurimit të kthehet në rivlerësim”, thuhet më tej në këtë njoftim.

Ndërkaq Komuna është pajtuar me gjetjet e ekspertit i cili ka rekomanduar që tenderi të kthehet në rivlerësim. Gjithashtu edhe operatori ekonomik është pajtuar me këtë gjetje.

“Autoriteti Kontraktues, si dhe parashtruesi i ankesës e kanë pranuar raportin e ekspertizës lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Rregullimi i lumenjve dhe përroskave’. Autoriteti Kontraktues pas pranimit të raportit të ekspertit ka njoftuar se pajtohet me mendimin e dhënë të ekspertit të OSHP-së. Gjithashtu edhe operatori ekonomik përmes parashtresës pajtohet me mendimin e dhënë të ekspertit të OSHP-së. Paneli shqyrtues e njofton operatorin ankues dhe autoritetin kontraktues se konform nenit 115, pika e 3 të LPP-së procedura e ankesës përfundon në këtë fazë. Autoriteti Kontraktues Kuvendi Komunal Viti lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Rregullimi i lumenjve dhe përroskave’ të kthehet në rivlerësim ky aktivitet i prokurimit sipas rekomandimeve të ekspertit shqyrtues”, thuhet në njoftimin e OSHP-së.