Lekaj: Jemi të gatshëm të heqim monopolin për homologim

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se rezolutën për homologim të votuar nga deputetet e Kuvendit do ta shqyrtojë dhe do të nisë procedurat për ndryshim-plotësim të ligjit.

Ai në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se udhëzimi administrativ është derivat i ligjit që është votuar në vitin 2017. Sipas tij aty nuk përmendet monopoli.

“Sa i përket udhëzimit administrativ ai hapë rrugë, por mund të diskutojmë për kritere. Ne kemi menduar të nxjerrim një fizibilitet se sa kompani tjera i duhen Kosovës. Pas nxjerrjes së udhëzimit administrativ ne i jemi drejtuar Komisionit Evropian. Ne kemi pasur një raport të përbashkët dhe në atë raport në asnjë mënyrë nuk përmendet monopoli”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij aty janë dhënë disa konkluzione të cilat thonë se regjistrimi i mjeteve ka shkelje ligjore.

Ai thotë se duhet të ndryshohet kapitulli pestë i ligjit dhe disa nene të cilat nuk janë të parapara me direktivat e BE-së.

“Në bazë të Rezolutës së Kuvendit do të jem i gatshëm të fillojë procedurën për plotësim-ndryshim të ligjit dhe udhëzimit administrativ”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se është menduar që homologimi i automjeteve të bëhet në gjashtë qendra të Kosovës.

“Ne kemi ligje që nuk janë të harmonizuara me direktiva të BE-së dhe ne kemi riprodhuar aq shumë ligje sa duhet rishikuar. Edhe pse ne nuk e kemi sponsorizuar këtë ligj ne nuk do ta hedhim fajin askujt”, ka thënë ai.

Lekaj thotë se në fillim të gushtit do të fillojnë procedurat e ndryshimit administrativ dhe diku në shtator ta procedojnë ligjin në Kuvend.

Ai thotë se Nebih Shatri si sekretar ka pasur detyrë të formojë komisionin, derisa shton se nuk është në dijeni nëse ka marrë para nga Kompania ‘Euro Lab’.

“Atë ditë kur kam raportuar në komision më kanë pyetur se a kam marrë para. Unë nuk e di nëse Shatri është paguar, nëse ka pasur konflikt interesi unë i ftoj organet të nxjerrin drejtësinë”, thotë ai.

Duke folur për homologimin e veturave të reja, ai ka thënë se nuk janë të anëtarësuar në BE dhe nëse nuk e bëjnë këtë homologim, Kosova do të bëhet varr masiv i veturave