Auditori i Përgjithshëm ka gjetur dhjetëra raste të mësimdhënësve në Komunën e Novobërdës me nga dy paga, njërën nga Serbia, tjetrën nga buxheti i Kosovës. Dyshohet se ata e marrin pagën nga buxheti i Kosovës pa dalë fare në punë, derisa të njëjtit punojnë në shkolla që menaxhohen nga strukturat paralele, përcjell Buletini Ekonomik.
Auditori i Përgjithshëm ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit, në Komunën e Novobërdës ofrimin e dëshmive për vijueshmërinë e disa mësimdhënësve në punë ndonëse ata paguheshin me paga të rregullta.
“Nga 20 rastet e audituara në Drejtorinë e Arsimit, për 14 prej tyre nuk na është ofruar dëshmi për vijueshmërinë në punë, me ç ‘rast e kishim të pamundur të konfirmonim që mësimdhënësit kanë punuar edhe pse ata paguhen me paga të rregullta”, thuhet në këtë raport.
Pagesa bruto për këta punëtorë gjatë vitit 2018 ishte 43 mijë e 393 euro. Mos ofrimi i këtyre dëshmive ishte për shkak se këta punëtorë ishin të angazhuar në shkollat që menaxhohen nga strukturat paralele, edhe pse mësimdhënësit në fjalë paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Komuna kishte të zgjedhur me konkurs edhe drejtorë të cilët paguhen nga buxheti komunal për menaxhimin e po të njëjtave institucione.
Zyra Kombëtare e Audutimit bën me dije se mos ofrimi i dokumenteve të kërkuara për auditim është në kundërshtim me legjislacionin dhe kufizon mundësinë e auditimit të rregullt për shpenzimet e pagave në këto raste. Pagat për punëtorë, të cilët nuk punojnë fare apo mund të jenë fiktiv, paraqesin bazë për mashtrim dhe mund të rezultojnë me humbje financiare për komunën.
Auditori i Përgjithshëm i rekomandon Kryetarit të sigurojë se të gjithë të punësuarit në shkollat, të cilat funksionojnë brenda fushëveprimit të komunës janë menaxhuar dhe kanë ofruar kontributin apo shërbimin për të cilin janë paguar. Mungesa e argumenteve për vijueshmërinë e punës kërkon zbatimin e masave ndaj përgjegjësve dhe ofrimin e llogaridhënies për situatën jashtë kontrollit. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/