MTI-ja shpenzoi afro 140 mijë euro për ish-ilegalët që nuk punuan fare

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT)

Afro 140 mijë euro ka shpenzuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për paga të 26 punonjësve të ish-strukturave paralele serbe pa punuar fare.

Edhe pse ata ishin angazhuar në këtë institucion me vendim të Qeverisë së Kosovës, të datës 22 korrik 2015, të bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtje civile”, që funksiononte në veri Kosovës, gjatë vitit të kaluar nuk janë paraqitur asnjëherë në vendin e punës. Shpenzimet e tilla të buxhetit Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka cilësuar si të parregullta.

Në raportin e auditimit në MTI, ZKA-ja ka gjetur se me gjithë përpjekjet e Qeverisë për të krijuar kushte për punë për këtë komunitet nuk është arritur qëllimi i integrimit të tyre, pasi ka ndodhur një sulm në objektet ku do të duhej të fillonte puna, si dhe ka pasur kërcënime të tjera të vazhdueshme.

Reklama e sponzorizuar

Shpenzime të parregullta të kësaj natyre Zyra Kombëtare e Auditimit kishte hasur edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Arsimit dhe në Ministrinë e Infrastrukturës.

Pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, sipas ZKA-së, shkakton dëmtim buxheti, si dhe mosarritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës. Për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministri rekomandohet që çështjen e mëtejme të këtyre pagesave ta adresojë edhe në Qeveri. /Koha.net/