Një letër që doli nga KEDS dhe që i kishte shkuar edhe Prokurorisë, ngre dyshime mbi një skemë të përgatitur të dhënies së tenderëve për dy kompanitë, “As Power” dhe “Lurn sh.p.k”. Buletini Ekonomik ka verifikuar disa prej këtyre pretendimeve.
Agon Sinanaj
“As Power” dhe “Lurn sh.p.k” nuk e kanë të përbashkët vetëm veprimtarinë biznesore si kompani të shtyllave të betonit. Të dyja kompanitë kanë përshkruar aktivitete pothuajse identike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) gjatë regjistrimit të tyre. Por ato i lidh edhe një element tjetër: tenderët në Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Gati të gjithë tenderët për investime kapitale në KEDS, nga viti 2018 lidhen me emrat e këtyre dy kompanive. Duke filluar nga shtyllat e betonit, trafot, largpërçuesit, transformatorët e deri te ndërrimi i njehsorëve elektrikë.
Një letër e dalë nga KEDS vitin e kaluar – dhe e adresuar për Prokurorinë, në të cilën Buletini Ekonomik ka siguruar qasje, ngre dyshime për mënyrën e dhënies së tenderëve nga ana e KEDS-it, si dhe për lidhjet e mundshme mes këtyre kompanive me disa prej shefave në KEDS.

“As Power” si biznes në Kosovë u regjistrua pak muaj pas pandemisë, saktësisht në muajin tetor të vitit 2021. Që në vitin e parë të regjistrimit, As Power filloi furishëm punën me tendera në KEDS. Sot, pothuajse secili tender për montimin e shtyllave të betonit, trafove, transformatorëve e largpërçuesve, kontraktohet përmes “As Power”.
Ndërkohë, “Lurn Sh.p.k” është kompania tjetër që bashkë me “As Power”, i dominojnë tenderat në KEDS, sipas një hulumtimi disamujor që Buletini Ekonomik ka realizuar mbi investimet kapitale në rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike në Kosovë. “Lurn Sh.p.k”, si biznes është regjistruar 3 vjet më herët se sa “As Power”, përkatësisht në vitin 2018.
Edhe “Lurn Sh.p.k” si veprimtari kryesore i ka shtyllat e betonit, por në KEDS, kjo kompani merr tendera edhe për renovim të objekteve, montimin e njehsorëve elektrikë, e deri te ndërtimi i kapaciteteve për energji solare.
Ndryshe nga “As Power” ku puna kryesore e saj sillet rreth tenderëve në KEDS, “Lurn Sh.p.k” është kompani me prezencë në aktivitete të prokurimit për shumë institucione publike në Kosovë.
Ajo që bie në sy kur analizohet veprimtaria e të dyjave, është ngjashmëria në listën e aktiviteteve biznesore të vendosura me rastin e regjistrimit si biznese në ARBK. Aktivitetet i kanë të ngjashme në së paku 10 sosh të listuara.
Në listën e aktiviteteve, të dyja thonë se merren me: “prodhimin e produkteve prej betonit”; “instalime elektrike”; “punime suvatimi”; “punime të kulmit”; “instalime të tjera ndërtimore”; “përfundim dhe finalizim të punëve të tjera të ndërtesave”; “aktivitete të tjera të specilaizuara ndërtimi”; “ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore”; “punime hidraulike, instaslime të ngrohjes dhe kondicionimit të ajrit”; si dhe me “ndërtimin e rrugëve dhe autostradave”.
Nga hulumtimi është kuptuar se këto dy kompani i mbulojnë gati të gjitha punët në KEDS, ani pse në këtë kompani punojnë mbi 2 mijë punëtorë.
Përkundër insistimit, KEDS nuk i ka dhënë qasje mediumit në tenderët që këto dy kompani kanë fituar ndër vite. Për këtë, nuk ka ofruar ndihmë as Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), të cilës Buletini Ekonomik ju ka drejtuar me Kërkesë për Qasje në Dokumente Publike.
Ajo që dihet është se dhënia e tenderëve nga KEDS-i nuk i është nënshtruar deri më tani rregullave të prokurimit publik të Kosovës, edhe pse për këtë e obligon licenca. Një raport nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP” rekomandon që KEDS duhet ta zbatojë licencën tek pjesa e prokurimit publik.
Në uebfaqen e tyre, KEDS publikon vetëm njoftimet për kontratë, por më pas nuk i publikon kompanitë fituese dhe dokumentet tjera që dëshmojnë se ka pasur garë ‘fer’ mes kompanive. E vetmja gjë që publikohet është njoftimi për kontratë.
Nga KEDS nuk kanë dhënë përgjigje se pse nuk i publikojnë dokumentet e plota për tenderët.
Letra ‘zbulon’ skemën
Letra nga KEDS që i shkoi vitin e kaluar Prokurorisë, i lidhë emrat e këtyre dy kompanive me shefat e KEDS-it.
Nga hulumtimi disamujor, Buletini Ekonomik ka verifikuar disa nga pretendimet e përfshira në këtë letër, përmbajtja e së cilës, sipas burimeve, po hetohet edhe nga Prokuroria.
Buletini Ekonomik ka provuar të marrë një qëndrim zyrtar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilët fillimisht kanë kërkuar më shumë detaje për përmbajtjen e letrës, por më vonë nuk kanë kthyer përgjigje.
Ekzistencën dhe përmbajtjen e letrës, Buletini Ekonomik e ka verifikuar edhe nga bisedat më shumë punëtorë në KEDS. Letra ishte shpërndarë edhe në objektin e KEDS-it si “fletushkë”, por ishte “izoluar” nga menaxhmenti shumë shpejt.
“Letra ka qenë për disa muaj tema kryesore mes punëtorëve në KEDS. Ka pasur edhe një hetim nga menaxhmenti se kush ka mundur ta shkruajë letrën”, ka thënë në kushte anonimiteti njëri nga punëtorët e KEDS – prej shumë sosh, me të cilët Buletini Ekonomik ka qenë në kontakt gjatë kohës së hulumtimit.
“Për neve që punojmë këtu letra nuk ka qenë befasi. Secili punëtor në KEDS është në dijeni për këto dy kompani. I shohim vazhdimisht në KEDS”, ka thënë një punëtor tjetër.
Në letër përmenden për afërsi me këto dy kompani, shefat kryesor në KEDS si Alpin Dogan, Kryeshefi Ekzekutiv, dhe Bujar Jupaj, ish-drejtor i Sistemit të Operimeve.
Për Dogan, në letër thuhet se ‘qëndron prapa’ “Lurn Sh.p.k” sa i përket tenderëve që kjo kompani merr në KEDS. Ndërsa, për Jupajn pretendohet për lidhje me kompaninë tjetër, “As Power”.
Lidhur me këto pretendime, nga KEDS nuk kanë kthyer përgjigje përkundër insistimit të mediumit, derisa Jupaj ka mohuar çfarëdo lidhje me kompaninë “As Power”.
As Power, nën hijen e KEDS
Edhe pas gati 15 vitesh prej kur është privatizuar Distribucioni i Energjisë në Kosovë, ZRrE ende nuk e ka kryer një auditim të pavarur rreth investimeve kapitale që KEDS ka kryer në Rrjetin e Shpërndarjes së energjisë elektrike. Me kontratë, parashihet që KEDS do t’i investojë 300 milionë euro, ndërsa deri tani është thënë se janë investuar mbi 200 milionë euro.
Kategoria e investimeve kapitale e ka peshën më të madhe në faturat e energjisë elektrike për konsumatorët e rrymës në Kosovë.
Pikërisht në kuadër të investimeve kapitale, kompania “As Power” i fiton tenderët në KEDS. Përveç hyrjes furishëm me tendera qysh në vitin e parë kur u regjistrua si biznes në Kosovë, drejtori i kësaj kompanie Altjon Shehaj, në një bisedë me Buletini Ekonomik, indirekt ka pranuar se funksionojnë si kompani nën hijen e KEDS-it. Sipas tij, të gjitha pajisjet, duke filluar nga trafot, largpërçuesit e deri te transformatorët, i marrin të gatshme nga KEDS, derisa kompania e kryen vetëm “punën e dorës”.

“Ne, tenderin që e marrim e kemi pa material, materialin e marrim nga KEDS-i, ne kemi vetëm punën e dorës, të gjitha i furnizon KEDS-i, kabllat i furnizon KEDS-i, largpërçuesit, trafot, të gjitha, çdo gjë prej A deri në ZH furnizohet nga KEDS-i. Ne vetëm i marrim në depo dhe i montojmë”, ka thënë ai.
Kur është pyetur për përvojën dhe si u bë që kompania filloi me tendera në KEDS sapo ishte regjistruar si biznes në Kosovë, Shehaj është arsyetuar duke thënë se “kemi punuar në fillim si nënkontraktorë në KEDS”, para se të marrin “punë më të rënda”.
Ai thotë se është në dijeni për letrën që i ka shkuar edhe Prokurorisë. “Eshtë përhapur në gjithë KEDS-in se dikush po shpërndanë letra, por nuk kam qenë në dijeni që qenka edhe emri i kompanisë time në ato letra”, thotë Shehaj.
Në letrën e dalë nga KEDS, për Shehajn thuhet se është i afërt me njërin nga shefat në KEDS, Bujar Jupajn, ish-drejtorin e Sistemit të Operimeve. Në letër thuhet se pronari i kompanisë “As Power” e ka thënë hapur në disa raste, se “Bujari është këtu”, duke aluduar se qëndron “prapa kompanisë”.
Shehaj ka pranuar se ka njohje me Jupajn, por këtë “njohje” e ka reduktuar vetëm në raport të punës profesionale. Në anën tjetër, Jupaj në fillim e ka mohuar krejtësisht se e njeh Shehajn kur është pyetur lidhur me pretendimet që dalin nga letra.
“Jo jo, nuk e njoh, as nuk kam pas kurrë me të komunikime”, ka thënë shkurt Jupaj. Por e ka ndërruar qasjen, kur është ballafaquar me deklaratrën e Shehajt, i cili thotë se “e njeh Jupajn”.
“Une thash kurrë s’kam pasur komunikim, ka mujt me qenë pjesë e naj organizimi, po kështu komunikim, absolut jo”.
Në letër ngriten edhe pretendime për shpërlarje parash dhe investime të dyshimta në sektorin e ndërtimit, por këto pretendime Buletini Ekonomik nuk ka arritur t’i verifikojë. Nga burime të sigurta, mësohet se edhe për këtë është duke u zhvilluar një hetim nga Prokuroria.
“Lurn” – nga shtyllat e betonit deri te njehsorët elektrikë
Për kompaninë tjetër, “Lurn Sh.p.k”, në letër thuhet se e ka mbështetjen e Kryeshefit Ekzekutiv të KEDS, Alpin Dogan dhe Këshilltarit Ekzekutiv, Fidan Dushi. Aty përmenden tenderët që “Lurn Sh.p.k” ka fituar ndër vite në KEDS, pa i përfillur, siç thuhet, procedurat e prokurimit.
“Kompania “Lurn sh.p.k” në KEDS shpërblehet me secilën kontratë që e dëshiron, kjo lehtë vërtetohet duke parë që kjo kompani vetëm në vitin 2024 është shpërbleyer me miliona euro kontrata nga KEDS”, thuhet në letër.
Në vitin 2024, “Lurn” kishte filluar me prodhimin e shtyllave të betonit për KEDS-in. Në po të njëjtin vit, sipas letrës, është bërë furnitori kryesor dhe i padiskutueshëm i shtyllave të betonit në KEDS.
“Duke lënë kështu prapa shumë kompani tjera dhe duke u lënë stoqet plot me shtylla të betonit edhe me çmime shumë më të lira kompanitë më serioze në këtë lëmi”, thuhet në letër.
Buletini Ekonomik ka arritur t’i verifikojë disa prej këtyre pretendimeve.
Pronari i “Lurn”, Besart Hasanaj ka pranuar se janë prezent me shumë tendera në KEDS, përfshirë këtu edhe atë për shtyllat e betonit. Ka thënë se diku 20 për qind të punëve si kompani i kanë nga KEDS-i.
Përveç shtyllave të betonit, “Lurn” kryen edhe renovim të zyrave në objektet e KEDS, si dhe merret me ndërrimin e njehsorëve elektrikë. Kjo vërtetohet nga postimet e kompanisë në faqen e tyre në Facebook, ku janë bërë publike shumë nga punimet për KEDS.










