Qeveria vendos masa të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka vendosur masa të reja të zbatimit gradual të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, masat e vjetra do të vazhdojnë të zbatohen, derisa atyre do t’iu shtohen vazhdimisht ato të reja.

Reklama e sponzorizuar

Në vendim thuhet se në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës e legjislacionin në fuqi, përmbajnë emra të vendeve të Kosovës por jo emrin e shtetit, i referohen Republikës së Kosovës përveçse Republika e Kosovës apo përmbajnë elemente pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë obligohet të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomik nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi. Vendimi mbetet në fuqi për afat të pacaktuar, ndërsa nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi, por vetëm në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare.

Këto vendime u morën në mbledhjen e 37-të nga Qeveria në detyrë të shtunën mbrëma.