Shoqëria civile letër deputetëve: Kërkoni nga MZHE-ja publikimin e dokumenteve për tenderimin e “Kosovës së Re”

Termocentral

Shoqëria civile përfshirë Ballkan Green Foundation, GAP, Grupi për Studime Juridike dhe INDEP, i kanë drejtuar një letër të hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku thonë se “Procesi i ndërtimit të TC “Kosova e Re” po mbahet i mbyllur në kundërtshim me ligjet në fuqi dhe vendimet e gjykatave”

“Ne, grupi i organizatave të shoqërisë civile, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që konform kompetencave që ua garanton Kushtetuta, të kërkojnë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me procesin e tenderimit të TC “Kosova e Re”. Në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në kundërshtim me Ligjin për qasje në dokumente publike, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës nr.750/13 të datës 12 dhjetor 2017, i rikonfirmuar me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit nr.72/2018 i datës 13 dhjetor 2018; si dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës nr.318/17 të datës 10 prill 2019, Ministria e Zhvillimit Ekonomik refuzon publikimin e dokumenteve që ndërlidhen me procesin e tenderimit të TC “Kosova e Re””, thuhet në letrën e tyre.

Organizatat e lartëshënuara përmes dhjetëra kërkesave nga që viti 2011 e deri tani, thonë se kanë kërkuar në vazhdimësi transparencë në procesin tenderues të TC “Kosova e Re’ dhe vazhdimisht kanë marrë përgjigje refuzuese.

Reklama e sponzorizuar

“Në qershor 2013 dhe në shkurt 2017, kemi parashtruar padi kundër MZHE-së për shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për qasje në dokumente publike. Gjykata Themelore e Prishtinës ka gjetur fajtor MZHE-në në të dy rastet, madje njëri rast duke u konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Por, përkundër vendimeve gjyqësore, MZHE vazhdon të mbajë fshehur dokumentet që ndërlidhen me këtë proces. Andaj, kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që konform të drejtave dhe obligimeve që ua garanton Kushtetuta, të detyrojnë MZHE-në të respektojë vendimet e gjykatave dhe të bëjë publike dokumentet e mëposhtme”, thuhet në letër.

Thirrjen finale për aplikim e cila i është dërguar kompanive të parakualifikuara për ndërtimin e TC “Kosova e Re”

Të gjitha vendimet për ndryshimin e kushteve tenderuese që janë marr nga viti 2011 e deri në kontratën finale për ndërtim të “Kosovës së Re”

Procesverbalet e takimeve të Komitetit Drejtues për projektin “Kosova e Re”.

“Publikimi i këtyre dokumenteve është me rëndësi për publikun dhe Kuvendin e Kosovës ngase ne besojmë se gjatë procesit të tenderimit, MZHE dhe Komiteti Drejtues kanë bërë shkelje ligjore, duke ndryshuar vazhdimisht kushtet tenderuese, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës nr.03-V-272 të 1 prillit 2010 për aprovimin e Strategjisë së Energjisë 2009-2018. Organizatat e lartëshënuara janë në procese gjyqësore ndaj MZHE që nga viti 2013 dhe përkundër vendimeve të vonuara të gjykatave, prapë se prapë MZHE refuzon qasjen e publikut në këto dokumente”, thuhet tutje.

Andaj, me qëllim që të sigurohet se procesi i ndërtimit të TC “Kosova e Re” është zhvilluar konform ligjeve në fuqi.

“Kërkojmë nga deputetët që të angazhohen në sigurimin e transparencës për këtë projekt, para se të fillohet ndërtimi i termocentralit. Ju rikujtojmë se organizatat tona kanë parashtruar padi ndaj MZHE edhe për procesin tenderues të KEDS dhe katër vite pas privatizimit të rrjetit të energjisë, Gjykata ka obliguar MZHE-në që të bëjë publike asetet e privatizimit, ashtu siç i kemi kërkuar para se ato të privatizoheshin. Në rast se MZHE do të bënte publike asetet e privatizimit të KEDS para se procesi i shitjes të përmbyllej, do të shpëtoheshin së paku katër hidrocentrale të cilat janë shitur bashkë me asetet e rrjetit dhe do të shpëtohej shkatërrimi i pasurisë publike. Tani, rasti i KEDS është në proces gjyqësor, por dëmi është bërë. Me qëllim që të parandalohet e njejta edhe në projektin “Kosova e Re”, kërkojmë angazhimin e deputetëve në mbrojtjen e interesit publik”, përfundon letra.