Shtetet e Bashkimit Evropian (BE) po vazhdojnë të mos jenë me një zë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Gjersa disa prej tyre e mbështesin heqjen e vizave, një numër i caktuar i shteteve që janë pjesë e BE-së nuk po lëvizin ende nga pozicioni i deritanishëm – kundër vizave.
Teksa ka komentuar qëndrimet e tri shteteve të BE-së rreth liberalizimit, Armend Muja ka thënë se Finlanda disa herë e ka përkrahur këtë proces, porse tash sipas tij Finlanda mund të jetë e kushtëzuar që ta mbajë qëndrimin e shteteve të Bashkimit Evropian.
“Finlanda në shumë raste e ka mbështetur liberalizimin e vizave me Kosovën. Sidoqoftë, aktualisht mund të jetë e kushtëzuar të mbajë qëndrim të vendeve të BE-së”, ka deklaruar ai.
Kurse Lituania dhe vendet e tjera baltike sipas Mujës e përkrahin liberalizimin e vizave dhe janë shtetet më të përkushtuara ndaj liberalizimit dhe zgjerimit. Por sipas tij procesin e liberalizimit po e kundërshtojnë fuqishëm disa shtete të tjera të BE-së.
“Komisioni Evropian ka vlerësuar se janë përmbushur kriteret për liberalizim të vizave për Kosovën dy herë, siç e ka bërë edhe Parlamenti Evropian. Mbrapa qëndrimit ‘për plotësim’ të kritereve qëndron një kundërshtim i fuqishëm nga Holanda, Franca, Belgjika, Danimarka dhe Spanja”, është shprehur ai.
Ndërkohë Taulant Kryeziu, kryetar i Bordit Ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), ka thënë se problemi për vizat mbetet te Franca dhe Holanda.
“Duhet konsensus nacional brenda secilit vend anëtar. Liberalizimin nuk do ta fusin në agjendë derisa Franca e kundërshton. Nuk shkon Gjermania që ta shtyjë liberalizimin e vizave kur ka kundërshtim francez”, ka deklaruar ai.
Sipas Kryeziut, shtetet si Finlanda nuk mund ta bllokojnë procesin e vizave edhe nëse nuk e mbështesin këtë proces.
“Kjo është një për qind e votës së përgjithshme, nuk mund ta bllokojë Finlanda, nuk është proces që Finlanda e bllokon. Nëse do të ketë ujdi gjermano-franceze për këtë punë, mendoj që ky proces ec. Franca e Gjermania përbëjnë afro 33 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së. Holanda është goxha e zëshme, ka qenë në vazhdimësi në kundërshtim të këtij procesi”, ka theksuar ai.
Në Parlamentin Evropian Finlanda ka 13 anëtarë, Britania e Madhe 71 ulëse, kurse Lituania 11 nga 571 anëtarë sa janë gjithsej në PE. /Ekonomiasot/