Apeli vërteton aktakuzën në rastin e “veteranëve”

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, të hënën, ka vërtetuar aktakuzën në rastin e “veteranëve të rrejshëm”.

Në vendimin këtij departamenti thuhet se janë refuzuar ankesat e avokatëve për hedhjen e aktakuzës në këtë rast.

“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në rastin e të akuzuarve A.Ç., N.L., S.H., Sh.D., Ç.G., Sh.B., Rr.B., F.F., S.E. dhe F.Sh.“, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit. Sipas këtij njoftimi, Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 19.6.2019, mbetet në fuqi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reklama e sponzorizuar

“Gjykata e Apelit gjeti se Gjykata e Shkallës së Parë ka vlerësuar dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme, se kundërshtimet janë të pabazuara dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin procedural, për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen“, thuhet më tej në njoftimin e Apelit.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se tani nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të cilat mund të hidhet aktakuza.