BE-ja kritikon ministren e Integrimeve për shkak të tentimit për t’i zënë vendet e bursistëve

Ministria e Integrimit Evropian ka shpallur konkurs të jashtëm për punësimin e pesë personave në Shërbimin Civil të kësaj ministrie.

Por, stafi civil i kishte kërkuar ministres në largim të Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, që të mos hapin konkurs, raporton KTV.

Vetëm disa ditë më pas, u bë shpallja e konkursit në kundërshtim me obligimet e Qeverisë ndaj BE-së, për zbatimin e projektit të Skemës së profesionistëve të rinj.

Reklama e sponzorizuar

KTV-ja ka siguruar komunikimet e brendshme, ku shërbyesit civilë nga pesë departamentet e Ministrisë së Integrimit, kanë kërkuar që, siç e parasheh marrëveshja, të punësohen studentët që janë shkolluar përmes programit Skema e profesionistëve të rinj, apo “Young Cell Scheme”.

Vetë ministrja Hoxha, përmes një letre, i ishte drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrave dhe ministrave, duke u kërkuar që të mos shpallin konkurs, por që të kontaktojnë me Ministrinë e Integrimit.

Por, vetëm një ditë pas kësaj kërkese të protokolluar më 22 korrik, vetë ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha shpalli konkursin, pavarësisht se ministrive të tjera u kërkoi që të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishte shprehur shqetësime të ashpra për paralajmërimin e hapjes së konkursit të jashtëm.

Madje, përmes një letre drejtuar ministres në largim Dhurata Hoxha, Zyra e BE-së ia ka kujtuar asaj obligimet që ka Ministria, e cila duhet t’i punësojë bursistët në shërbimin civil.

Por, as ky reagim i BE-së nuk u mor parasysh nga ministrja në largim, Dhurata Hoxha.

As pas 3 ditë pritjesh, Ministria e Integrimit Evropian nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e KTV-së për konkursin e kontestuar nga nëpunësit civilë të kësaj ministrie dhe nga Zyra e BE-së. As Zyra e Ministres Dhurata Hoxha nuk ka pranuar të japë asnjë detaj për këtë, duke mos qenë në gjendje të sqarojë konkursin dhe pretendimet e zyrtarëve evropianë në Prishtinë.

Në një përgjigje për KTV-në, Zyra e BE-së në Prishtinë, ka thënë se që nga viti 2004 kanë përfituar bursa 364 studentë.

BE-ja thotë se do të jetë sfidë për Qeverinë punësimi i studentëve përmes këtij programi këtë vit dhe se është duke e monitoruar Ekzekutivin.

“Në rundin e 11-të, 50 të diplomuar do të kthehen nga studimet deri në fund të këtij viti. Kjo do të jetë një sfidë për Qeverinë e Kosovës. Lajmi i mirë është që tashmë 5 prej tyre u është ofruar një punë në Ministrinë e Drejtësisë, 2 kanë marrë ofertë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe një ka marrë ofertë nga Zyra e Kryeministrit”, ka thënë Zyra e BE-së në Kosovë.

Rekrutimi i bursistëve përmes Skemës së profesionistëve të rinj, është obligim ndërkombëtar i Qeverisë së Kosovës, pas nënshkrimit të kontratave me bursistët dhe Komisionin Evropian, përmes marrëveshjes IPA.

Vendimi i Qeverisë i 10 tetorit 2012, saktëson obligimin e institucioneve për sistemimin dhe punësimin e bursistëve, në periudhë 3-vjeçare në Shërbimin civil.

35 punëtorët e stafit civil të Ministrisë së Integrimit Evropian, me shkresë zyrtare i janë drejtuar të mërkurën Dhurata Hoxhës, duke i thënë se do të hyjnë në grevë, nëse kërkesat e tyre për anulim të konkursit që e konsiderojnë të kundërligjshëm nuk merren parasysh.

Gjithashtu, stafi civil është ankuar te ministrja në largim, Hoxha, se ndaj tyre janë marrë masa disiplinore, pas ngritjes së zërit për shkeljet rreth hapjes së konkursit.

Konkursi i jashtëm për pesë pozita është hapur më 27 korrik dhe është mbyllur më 6 gusht.