Dorëheqja e Qeverisë: Kosova rrezikon t’i humbë 90 milionë euro nga fondet e BE-së

Aktivistja e Shoqërisë Civile, Flutura Kusari ka alarmuar për humbjet që do t’i shkaktohen Kosovës, nëse Kuvendi shpërbëhet pa i kryer disa procese.

Ajo ka thënë se Kuvendi nuk duhet asesi të shpërbëhet pa e aprovuar Projektligjin nr.06/L-161 për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropan, projektligj ky i cili nëse nuk miratohet nga vet Kuvendi, Kosova do t’i humbë  90.5 milionë euro nga fondet e BE-së.

Konkretisht, sipas juristes Kusari, pa këto fonde filterat e termocentralit Kosova B nuk do të mund të ndërrohen edhe këtë vit dhe ne do të vazhdojmë që edhe këtë dimër të kemi ajër po aq të ndotur sa edhe në Indi.

“Bleni maska dhe përgatituni për dimër!” ka shkruar ajo.

Po ashtu, Flutura Kusari ka thënë se në mungesë të këtij projektligji do të anulohet edhe bursa e studentëve kosovarë  “Young Cell Scheme”, me ç’rast rreth 50 studenta të Kosovës do ta humbin mundësinë të studiojnë jashtë vendit.

Në fund, Kusari ka përmendur edhe votimin për kandidaten për Komisionere për Informim dhe Privatësi, e rekomanduar nga Komisioni për Siguri i Kuvendit dhe britanikët, e cila nëse nuk votohet nga Kuvendi, atëherë do të ketë mundësi që partitë prapë të tentojnë të zgjedhin njeriun e tyre, që sipas saj nuk do t’ia dalin kurrë. /Buletini Ekonomik/