Pjesëmarrja në grevë i ka kushtuar me largim nga puna nëntë punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Kështu së paku pretendon kryetari i Sindikatës, Bashkim Latifi, i cili për Telegrafin ka thënë se menaxhmenti i ANP “Adem Jashari” ka suspenduar nëntë punëtorë të cilët kanë marrë pjesë në grevë.
Ndryshe, për të dytën ditë me radhë Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” është duke mbajtur grevë me të cilën po kërkojnë kompensim dhe përfitime tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas Ligjit të Punës dhe pagesën e shujtës.
“Menaxhmenti po mendon që i ka ra dielli në kokë me një grevë, që nga 2011-ta kërkesat kanë qenë kështu dhe vazhdimisht qëndrojnë sepse janë me Ligjin e Punës në fuqi. Menaxhmenti nuk i ka ndryshuar sjelljet që nga 2011-ta, sepse sot ka suspenduar nëntë punëtorë, të cilët kanë marrë pjesë në grevë që nuk kanë dashur të punojnë. Iu është marrë leja e hyrjes në punë”, tha Latifi.
Po ashtu, ai thotë se menaxhmenti ka tentuar t’i largojë pllakatet e punëtorëve grevistë.