Rrjedha e lumit Lumbardh në grykën e Deçanit në Kosovën perëndimore, është shndërruar në çështje përplasjesh në mes të atyre që synojnë ndërtimin e hidrocentraleve dhe mbrojtësve të mjedisit.
Përgjatë rrjedhës së tij kanë mbirë katër projekte hidrocentralesh, duke nxitur reagimin dhe protestat e banorëve të drejtuara nga organizata mjedisore ERA.
Fatos Lajçi nga kjo organizatë, thotë se këto ndërtime po e mbysin lumin.
“Për neve brengosëse është vdekja e një lumi. Pas meje ne shohim një digë të betonuar ku lumi vdes te kjo digë, pra nga këtu e lart nuk ka më jetë ujore. Sipas ligjeve të shtetit tonë, kompania është e obliguar ta respektojë 30 për qindëshin që njihet si minimumi biologjik, pra 30 për qind e lumit duhet të jetë duke rrjedhur nga kjo digë që në këtë moment ne e shohim që nuk është duke rrjedhur aspak”, tha ai.
Çështja e ndërtimit të një hidrocentrali vazhdimisht ka ngritur shqetësime dhe akuza edhe ndërmjet institucioneve rreth përgjegjësisë për dhënien e licencave.
Afrim Ajvazi, udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë thotë se dy nga tri hidrocentralet që janë ndërtuar në lumin Lumbardh të Deçanit kanë pëlqimin e autoriteteve lokale dhe qendrore.
“Ato hidrocentrale dy janë në operim edhe pse të gjitha lejet e mundshme që lëshohen prej institucioneve lokale dhe qendrore i kanë të siguruara, e kanë edhe pëlqimin mjedisor që është dokumenti i parë para lëshimit të lejes mjedisore edhe ne si zyre kemi lejuar të hyjnë në funksion sepse nuk kemi pasur asnjë sinjal prej ministrisë së mjedisit e cila është përgjegjëse për mjedisin se ky hidrocentral është në kundërshtim me mjedisin”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, thotë se komuna ka lëshuar pëlqim mjedisor për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve por kompania nuk e ka respektuar marrëveshjen.
“Ne kemi bërë një marrëveshje me kompaninë që kompania para së të fillojë me punime është dashur t’i prezantojë të gjitha lejet nga të gjitha institucionet relevante në Republikën e Kosovës, gjë të cilën nuk e ka bërë. Ne e kemi një dokument të shkruar me kompaninë që të respektohen diku tetë kritere që sipas neve është e saktë dhe e drejtë kjo që kemi kërkuar nga ata, në anën e kundërt nuk janë respektuar këto kritere”, tha Ramosaj.
Ramosaj, thotë se autoritetet lokale nuk janë kundër investimeve të huaja, por kërkojnë zbatimin e kushteve siç është rivitalizimi i zonës ku janë zhvilluar punimet dhe respektimi i minimumit biologjik.
Leotrim Sahiti nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se pëlqimet mjedisore për këto hidrocentrale janë dhënë para vitit 2016, ndërsa që atëherë ministria ka pezulluar shqyrtimin e lejeve të reja, derisa të kryhet një studim i ri mbi mundësitë reale për hidro energji në Kosovë.
“Në Kosovë të gjithë operatorët të cilët janë duke vazhduar procedurat për ndërtimin e hidrocentraleve asnjë prej tyre nuk posedon leje mjedisore, që nënkupton se asnjë operator nuk do të lejohet që të ketë operim. Ne kemi pasur një operim ilegal në komunën e Deçanit për çka e kemi njoftuar edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë duke kërkuar nga ata që derisa të mos plotësohen të gjitha kushtet për pajisje me leje mjedisore nga operatori ekonomik, nuk do të lejohet që ai operator të operojë dhe të shesë energji”, tha Sahiti.
Ajvazi thotë se përgjegjësi e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është vetëm bashkërendimi i procesit të ndërtimit të një hidrocentrali.
“Kjo zyre nuk përgjigjet për shfrytëzimin e ujit, kjo zyre nuk përgjigjet për ndikimin në mjedis, as për tokë, as për leje ndërtimit, janë komunat dhe posaçërisht ministria e Mjedisit dhe shpesh dëgjojmë debate që ky hidrocentral po e keqpërdor ujin, ky hidrocentral po e ndot mjedisin, po janë institucionet sikurse ministria e Mjedisit dhe atyre duhet t’u drejtohet. Ne vetëm i bashkërednojmë veprimet, udhëzojmë aplikuesin cilat leje duhet të sigurohen dhe të cilat institucione duhet të drejtohen”, tha Ajvazi.
Leotrim Sahiti nga ministria e Mjedisit thotë se në rast që kompanitë nuk i përmbushin kushtet e kërkuara, ministria do të ndërmarrë masa.
“Për të gjithë operatorët që nuk përfundojnë me kohë projektin dhe nuk kthejnë gjendjen e mjedisit në gjendjen e mëparshme ne nuk përjashtojmë mundësinë e tërheqjes së dokumenteve të cilat vet i kemi lëshuar si pëlqimin ujor, lejen ujore e pëlqimin mjedisor me të cilat operatori ka të drejtë të operojë në emër të testimit mirëpo jo të shesë energji”, tha ai.
Sahiti thotë se ndërtimi i hidrocentraleve apo prodhimi i energjisë së ripërtëritshme është pjesë e direktivave të Bashkimit Evropian për Kosovën, por garanton qytetarët se ato do të përmbushen pa i dëmtuar interesat e tyre.
Por, Fatos Lajçi nga organizata ERA thotë se pasojat e pariparueshme të ndërhyrjeve të tilla në lumenjtë e Kosovës, do të shfaqen pas shumë vitesh.
“Kemi të bëjmë me një kërcënim nga thatësira, Ballkani do të jetë pika e kuqe që do të sulmohet nga thatësira në vitet në vijim. Prandaj mendojeni kur lumi nuk rrjedh në shtratin e tij të egër natyral por futet në tuba, atëherë të gjitha degëzimet e tij që krijojnë burime tjera nëntokësore do të thahen me kalimin e viteve dhe nuk do të ketë ujë, ky është një fakt shkencor”, tha Lajçi.
Në Kosovë aktualisht janë duke operuar nëntë hidrocentrale nga 16 sa janë ndërtuar dhe sipas ekspertëve, ky është një kapacitet i mjaftueshëm pasi që Kosova nuk është vend me mundësi të mëdha hidro energjetike. /Koha.net/