Kaos në aeroport: Vazhdon greva e punëtorëve, të mërkurën ajo zgjat rreth 6 orë

Me dy orë vonesa u nisën fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

“Adem Jashari’’, gjatë mëngjesit të së martës.

Arsyeja kryesore e këtyre vonesave ishte greva e mbajtur nga punëtorët e Aeroportit në shenjë proteste ndaj bordit drejtues, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Bashkim Latifi, kryetar i sindikatës së punëtorëve në Aeroportin e Prishtinës, tha se të hënën janë takuar me bordin drejtues të aeroportit, por që sipas tij, e gjithë kjo ishte vetëm formalitet.

Për të mërkurën, Sindikata paralajmëroi përsëri grevë, këtë herë duke bllokuar punën për gjashtë orë.

Për vonesat në fluturime si pasojë e grevës, udhëtarët në Aeroportin e Prishtinës kanë mendime të ndryshme rreth grevës së punëtorëve.

E zëdhënësja e ANP-së, Valentina Gara, tha se greva e punëtorëve sindikalë nuk është e ligjshme derisa gjatë kësaj greve, ka pasur edhe incidente.

Gara, po ashtu tregoi se si shkak i pengesave në operimin ditor të fluturimeve janë marrë masa ligjore ndaj nëntë punëtorëve. Derisa shtoi se këto masa janë në përputhje me ligjin dhe rregulloret e brendshme të Aeroportit.

Ajo shtoi se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për protestën e së mërkurës, mirëpo në rast të eskalimit të situatës, përgjegjësia kryesore, sipas saj, bie te Policia.