Kompania “PayKos” në fillim të këtij viti ‘bleu’ nga Telekomi mbushje në vlerë të 2 milionë eurove për t’i shitur në tërë Kosovën. Për këtë shërbim kjo kompani do të marrë nga Telekomi 30 për qind provizion, apo përkthyer në vlerë monetare, 700 mijë euro. Me kontratën bazë mes tyre provizioni ishte rreth 10 për qind.
Agon Sinanaj
Me kontratën bazë mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë PayKos, të arritur në vitin 2015, kjo e fundit për shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve të Vala-s, përfitonte provizion 10 për qind. Për katër vite, mes periudhës 2015-2018, nga kjo tarifë “PayKos”-i përfitoi prej Telekomit rreth 10 milionë euro.
Por me ardhjen e menaxhmentit të ri në vitin 2019, kjo kompani është favorizuar edhe përtej kontratës bazë. Dy anekse të kontratës që ka siguruar Buletini Ekonomik, të arritura në fillim të këtij viti dëshmojnë për ndryshim të tarifës nga kontrata bazë.
Menaxhmenti i ri i Telekomit në krye me Bedri Istrefin i mundësoi “PayKos”-it trefishim të fitimeve për një shërbim të kryer në muajt mars e prill të këtij viti.
Kompania “PayKos” bleu nga Telekomi mbushje në vlerë 2 milionë euro për t’i shitur në tërë Kosovën. Për këtë shërbim në emër të Telekomit, “PayKos” do të marrë 30 për qind provizion apo përkthyer në vlerë monetare, 700 mijë euro. Me kontratën bazë mes tyre provizioni për të gjitha shitjet e mbushjeve ishte i caktuar të jetë rreth 10 për qind.
Përmes aneksë-kontratës, Telekomi i ofroi “PayKos”-it stoqe të kartelave në vlerë prej 2 milionë eurove, për shitjen e të cilave kompania do të merrte provizion prej 30 për qind.
Kushti i vetëm nga Telekomi ishte që kompania këto dy milionë euro do të duhej t’i transferonte në afat rekord në llogaritë e Telekomit.
Ashtu edhe ndodhi. Sipas ankesë-kontratës, në muajin prill dhe mars, “PayKos” i transferoi tek Telekomi 2 milionë euro si parapagim.
“Partneri (PayKos) garanton se stoqet e ofertuara nga Operatori (Telekomi) do t’i parapaguaj nëpërmes Profaturës së lëshuar nga Operatori (Telekomi) para se të tërhiqen dhe atë: – Kontigjeni i parë, 1 milion euro, jo më larg se 31 Mars 2019; – Kontigjenti i dytë, 1 milion euro, jo më larg se 30 Prill 2019”, thuhet në këtë aneksë-kontratë.
Për këto 2 milionë euro provizioni u llogarit 30 për qind, plus 18 për qind TVSH-ja, që i bie në total 700 mijë euro fitime të pastra për kompaninë.
Mirëpo, historiku i “PayKos”-it me kontrata në Telekom daton qysh në vitin 2015 kur e njëjta kishte fituar një kontratë milionëshe vetëm katër muaj pasi ishte regjistruar si biznes në ARBK.
Kontrata që kishte si synim distribuimin dhe shitjen e mbushjeve Pre Paid, i mundësoi kësaj kompanie një fitim prej minimum 10 milionë euro për katër vite, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “Pay-Kos”-it.
Buletini Ekonomik përmes një hulumtimi këtë muaj ka zbuluar se prapa kësaj kompanie qëndron kompania e arkave fiskale “Gekos”, me pronar Enver Maliqin, biznesmen shqiptar që vepron në Maqedoni.
Si e vetme, gjithçka rreth PayKos-it është e paqasshme për publikun. Kompania madje nuk ka as ueb faqe dhe nuk mund të dihet asgjë rreth aktiviteteve të saj. /Buletini Ekonomik/