Autoritetet komunale të Prizrenit u kanë bërë thirrje banorëve të fshatrave që nuk janë lidhur deri më tani në rrjetin publik të ujësjellësit që menaxhohet nga KRU “Hidroregjioni jugor” që ta bëjnë një gjë të tillë. Në të kundërtën, kanë pohuar se nuk do të kenë mundësi të kryejnë investime publike në rrjetet e ujësjellësit dhe të kanalizimit në këto vendbanime.
Sipas kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ky është një problem që duhet adresuar, në mënyrë që popullata të ketë furnizim me ujë me cilësi të kontrolluar, shkruan sot Koha Ditore.
“Kemi një problem në shumë fshatra që nuk duan me qenë në sistemin publik të ujësjellësit”, ka thënë Haskuka, gjatë takimit publik të fundit me qytetarët. Ai ka theksuar se Prizreni ka qenë njëra prej komunave me më së paku përfshirje të fshatrave në rrjetin e ujësjellësit të kontrolluar nga KRU “Hidroregjioni jugor”.