Me dokumente false përfituan statusin e veteranit të UÇK-së -Gjykata dënon tre persona

Gjykata Themelore në Pejë, të enjten, i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Blerim Ramosaj, Pal Berisha, Lekë Desku dhe Xhavit Maxharra, lidhur me akuzën se kanë mundësuar dhe falsifikuar dokumente për të përfituar statusin e veteranit të UÇK-së.

Të gjithë të akuzuarit janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, por sipas gjykatësit Sejdi Blakaj, me pëlqimin e tyre, ky dënim është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 1300 euro, për secilin, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas gjykatësit Blakaj, dënimi me gjobë do të ekzekutohet brenda afatit prej tre muajsh, posa aktgjykimi të merr formën e prerë.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa, i akuzuari Maxharra është liruar nga paraburgimi dhe koha e kaluar në paraburgim prej 25 qershor 2019, deri më 22 gusht 2019, u është llogaritur në dënimin e shqiptuar me gjobë.

Edhe pse aktakuza nuk është lexuar nga prokurori Ardian Hajdaraj, të pandehurit e kanë pranuar fajësinë për veprat për të cilën akuzohen.

Mbrojtësi i të pandehurit Lekë Desku, avokati Arianit Koci tha se pajtohet plotësisht me pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij.

Gjithashtu edhe mbrojtësi i të pandehurit Xhavit Maxharraj, avokati Armand Krasniqi, është pajtuar me pranimin e fajësisë, duke kërkuar nga gjykata ta aprovojë atë dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga masa e paraburgimit.

Meqenëse, të pandehurit e pranuan fajësinë, me një gjë të tillë është pajtuar edhe prokurori i rastit Ardian Hajdaraj, duke theksuar se të akuzuarit edhe në proceduat e marrjes në pyetje i kanë pranuar veprat dhe aktakuza e Prokurorisë ka mbështetje në provat materiale në të cilat është ngritur aktakuza.

Gjykatësi i çështjes, Sejdi Blakaj, më pas e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2019 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Blerim Ramosaj akuzohet se më 21 mars 2018, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile në Pejë, pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka vë në lajthim organin kompetent, ashtu që i pandehuri prezanton dokumentet e falsifikuara dhe atë certifikatën e statusit të veteranit dhe vërtetimin kinse i njëjti është veteran luftëtar, ku i njëjti përfiton pagesën e veteranit në shumën prej 1530 euro, duke i shkaktuar dëm MPMS-së.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme.

I pandehuri Pal Berisha akuzohet se gjatë muajit janar e deri më 21 mars 201,8 e ka ndihmuar dhe udhëzuar të pandehurin Blerim Ramosaj që ky i fundit të përdorë dokumentet e falsifikuara të certifikatës së veteranit dhe vërtetimin kinse është veteran i UÇK-së dhe të njëjtit i siguron dokumentet e lartcekura, duke e paguar shumën prej 1500 euro dhe me ato dokumente ka aplikuar dhe ka përfituar statusin e veteranit të UÇK-së.

I pandehuri Lekë Desku akuzohet se nga fundi i vitit 2017, gjerë më 4 maj 2019 në Klinë e ka ndihmuar të pandehurin Blerim Ramosaj, Antoneta Thaqi, Vera Ademi, Ruzhdi Rracaj, Ruzhdi Gashi dhe Fitim Gashi, si dhe të gjithë personat nga lista e sekuestrimit, duke përjashtuar të evidentuarit me numër 2, 26, 38 që të njëjtit t’i përdorim dokumentet e falsifikuara për përfitim të statusit të veteranit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pasi pranon dokumentet personale të qytetarëve së bashku me të hollat për secilin rreth 1500 euro, i dërgon tek i pandehuri Xhavit Maxharra, ku ky i fundit merr shumën prej 1300 euro, gjersa 200 euro prej tyre si kompensim i merr i pandehuri Lekë Desku dhe më pas i dorëzon dokumentet e falsifikuara të tyre.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në falsifikimin e dokumenteve.

I pandehuri Xhavit Maxharra akuzohet se nga fundi i vitit 2017, e gjerë me 4 maj 2018 në Klinë, në vazhdimësi ka përpiluar dokumente të falsifikuara kinse origjinale për veteran të UÇK-së  dhe i njëjti e ka falsifikuar dokumentin e veteranit ndaj të pandehurit Blerim Ramosaj si dhe dokumentet për statusin e veteranit dhe veteran invalidor për personat nga lista e sekuestrimit, ashtu që të njëjtit kanë përfituar nga skema pensionale e statusit të veteranit luftëtar, ku të njëjtit kanë paguar secili shumën prej 1500 euro.