Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot prej orës 08:00 do të mbajnë grevë dy orëshe, ashtu siç e kanë paralajmëruar ditë më parë, si vijimësi e veprimeve të tyre deri në plotësimin e kërkesave.
Të njëjtit kanë mbajtur grevë edhe gjatë ditës së djeshme, gjë që krijoi tollovi të madhe dhe vonesa disa orëshe edhe tek qytetarët që po prisnin për të udhëtuar.
Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe benifite të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi duke e quajtur të suksesshme grevën e djeshme, i ka quajtur normale edhe tollovit e shkaktuara në aeroport.
Ai tha se nëse nuk reflekton menaxhmenti greva do të vazhdojë gjithë ditore gjatë ditës së mërkurë.
Në anën tjetër tollovinë e shkaktuar dhe vonesat e shumta në fluturime i ka arsyetuar zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, e cila tha se këto vonesa kanë ndodhur pasi që njëri nga grevistët ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve./KsP/