Të premten e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar më në fund Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike pas gjashtë muajsh nga inicimi i tij.
Në kuadër të këtij ligji, po këta deputetë kanë dhënë votën e tyre edhe për një amandament që po cilësohet si ‘i dyshimtë’ nga vet ministrja e Financave dhe njëra palë e opozitës, ajo e Vetëvendosjes.
Bëhet fjalë për heqjen e rentës minerare për kompanitë e mëdha, të cilat operojnë në Kosovë. Kjo tarifë e heqjes së kësaj rente për korporatat e mëdha në vend pritet të ketë një kosto milionëshe.
Opozita thotë se me këtë amandament do t’i bëhet favor vetëm një miliarderi të huaj, i cili po ndihmohet me paratë e taksapaguesve kosovarë.
Hekuran Murati, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për Buletinin Ekonomik se të gjithë deputetët e tjerë me përjashtim të Vetëvendosjes, kanë mundësuar të premten kalimin e amandamentit që liron nga pagesa e rentës minerare kompanitë, ku sipas tij nëse shikohet përfituesi, del të jetë vetëm një kompani e tillë në Kosovë, ajo e Ferronikelit.
Dyshime për këtë amandamend ka ngritur edhe ministrja Bajrami pas votimit të Ligjit për Rimëkëmbje, e cila ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që do të futet në projektligj.
“Është amandament që ka kalu në Kuvend. Në Komision nuk ka kalu, nuk ka qenë propozim i imi”, ka thënë Bajrami për media.
Sipas Muratit, kostoja e saj pritet të varet nga vëllimi që do të ekstraktohet, i cili pritet të rritet tani që pagesa e rentës minerare është hequr, dhe gjithsesi se do të shkojë në disa miliona euro.
Ky amandament është i papranueshëm, thotë Murati, pasi me paratë e taksapaguesve të varfër po i ndihmohet një miliarderi, dhe se nuk do të duhej të kalonte kurrsesi. Për këtë arsye, i njëjti amandament nuk kishte kaluar as në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, i cili drejtohet nga vet Murati.
“Mirëpo me gjasë që pazaret e bëra ditëve të fundit kanë ndryshuar qëndrimet e deputetëve të partive të klubit të stërvjetëruar, të cilët ditë e natë thirren kinse në interesat e qytetarëve, mirëpo kur vie puna te amandamentet, votojnë për interesa të oligarkëve”, përfundoi tutje Hekuran Murati nga VV.
Ndryshe, kompania “Ferronikel” është në pronësi të biznesmenit nga Shqipëria, Saimir Mane./Buletini Ekonomik/