Muhamet Xhemajli, kryetari i Sindikatës profesionale të Telekomit të Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të kësaj kompanie për të blerë 305 telefona të mençur në vlerë prej 171 mijë euro.
Xhemajli është shprehur i nervozuar me blerjen e këtyre telefonave, duke theksuar se ky është keq menaxhim në total. Sidomos tani kur Telekomi ndodhet në prag të falimentimit.
“Katastrofë, kjo do të thotë keq menaxhim në total nuk ka hiç ma keq”, ka thënë ai.
Në ditën kur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, shpalosi kompaninë që do ta çojë Telekomin drejt privatizimit në një afat prej pesë muajsh, një tender i madh u lansua nga Zyra e Prokurimit të kësaj ndërmarrjeje.
Telekomi i Kosovës planifikon të shpenzojë mbi 170 mijë euro për furnizim me telefona mobil të teknologjisë më të avancuar.
Tenderi “Furnizim me pajisje mobile telekomunikuese” në vlerë 171 mijë euro tashmë është publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).
Me këtë shumë planifikohet të blihen gjithsej 305 telefona mobil.
Në mesin e tyre 131 janë IPhone X dhe 68 tjerë të markës ‘Samsung Galaxy S8’. Pjesa tjetër janë po ashtu nga këto dy marka por më të vjetër për nga viti i prodhimit.
Ndryshe, këto shpenzime po ndodhin në kohën kur ndërmarrja është në gjendje të rëndë financiare dhe në kohën e privatizimit të saj. Tashmë Kompania “Detecon”, degë e Deutche Telekom, është përzgjedhur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për përgatitjen e Telekomit të Kosovës për privatizim.
Ky projekt pritet që të zgjasë rreth 5 muaj dhe më pas do të hapet faza tenderuese për privatizimin e 51 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet në pronësi të Qeverisë.