Veseli: Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizimit e mbanë rininë këtu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot në ditën ndërkombëtare të rinisë disa të rinj nga Kosova që janë larguar nga vendi e aktualisht janë me pushime në vendlindje.

Lideri i PDK-së ka dëgjuar nga të rinjtë arsyet që i kanë shtyrë të emigrojnë dhe arsyet që do të ndikonin në kthimin e tyre për të jetuar në Kosovë.

Veseli tha se si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, prioritet kryesor do ta ketë luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, për të krijuar shanse të barabarta për të gjithë qytetarët në punësim.

Reklama e sponzorizuar

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Veseli tha se do të krijohet fondi për autostradën e punësimit, që do t’i bindi këta të rinj e shumë të tjerë që të kthehen e shpërfaqin aftësitë dhe energjitë në Kosovë.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Rinisë dhe largimi i të rinjve është një ndër problemet më shqetësuese të Kosovës. Me këtë rast, vendosa të takoj disa të rinj që kanë emigruar kohëve të fundit e që gjenden për pushime në Kosovë. Me ta bisedova për shkaqet që i kanë detyruar të ikin dhe për çfarë duhet bërë që të nxisim kthimin e tyre. Argjendi më tregoi se e kishte lënë shkollën para tre vjetësh dhe ishte larguar në Itali sepse mendonte që pozitat e punës merren me të njohur e jo me meritë. Shqiprimi po ashtu më tregoi se ka ikur para tre muajsh në Gjermani pasi nuk pati mundësi ta mbante hapur biznesin e tij, ndërsa Redoni i diplomuar në marketing, është detyruar të shkoj në Austri. Është më se e qartë që për t’u ofruar atyre mundësi brenda Kosovës, duhet të luftojmë nepotizmin në punësimet publike si dhe korrupsionin që po pengon investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Po ashtu, si kryeministër i ardhshëm do të kem prioritet krijimin e fondit për autostradën e punësimit, që do t’i bindi këta të rinj e shumë të tjerë që të kthehen e shpërfaqin aftësitë dhe energjitë në Kosovë”, ka shkruar Veseli.