Javën që vjen në komisionet përkatëse të Parlamentit Evropian do të nisin seancat dëgjimore të komisarëve të caktuar të BE-së në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar, dhe kjo është tema kryesore që e preokupon këto ditë BE-në. Por me dyer të mbyllura, në takimet private dhe jozyrtare, po diskutohet edhe për mënyrën se si BE-ja do t’i qaset dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Tashmë në disa qarqe roli i deritashëm i BE-së është bërë edhe subjekt talljeje, sepse kanë kaluar aq shumë vjet nga kur ka nisur dialogu dhe rezultatet konkrete kanë munguar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndonëse vazhdojnë ta quajnë dialogun si “sukses”dhe si “të domosdoshëm dhe pa alternativë”, diplomatët e BE-së pranojnë privatisht se ajo që është arritur dhe faza në të cilën ndodhet dialogu tash nuk është diçka me të cilën BE-ja mund të mburret.
Prandaj edhe e kanë kuptuar seriozisht angazhimin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe Gjermanisë që të punohet në mënyrë më serioze në arritjen e një zgjidhjeje për të normalizuar raportet mes dy shteteve e jo të kufizohet gjithçka në takime të kota në Bruksel.