Bizneset kosovare mbështeten me 90 milionë euro përmes sigurimit të kredive

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) sot ka filluar zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 16 maj të këtij viti me Fondin Evropian për Investime (EIF) lidhur me Programin COSME të Bashkimit Evropian për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM).

FKGK-ja është kandidati i parë nga Kosova me një transaksion të miratuar në kuadër të COSME Instrumentit për Garantimin e Kredive.

Vlera e kredive të mbështetura për bizneset kosovare me këtë marrëveshje pritet të arrijë deri në 90 milionë euro për një periudhë dy vjeçare.

Reklama e sponzorizuar

Vlen të theksohet se deri në Q2 të vitit 2019, 3 mijë e 4 biznese kanë marrë kredi të garantuara nga FKGK-ja në vlerë kumulative prej mbi 114 milionë euro, me ç’rast me këtë proces janë krijuar edhe 4 mijë e 301 vende të reja pune në Kosovë.

Mbështetja e portfolios së garantuar të FKGK-së nga Fondi Evropian për Investime (EIF), pjesë e Bankës Evropiane për Investime (EIB), do të sjellë lehtësi për ndërmjetësimin financiar duke ndikuar pozitivisht në nxitjen e kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në rritjen ekonomike dhe punësimin në Kosovë, si dhe duke ju ofruar Institucioneve Financiare ndarje të rrezikut kreditor me kushte më të favorshme për garancitë kreditore.

Ndryshe, COSME është një mundësi e re e garancisë për Institucionet Financiare Partnere për të mbuluar rrezikun kreditor për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të).

FKGK-ja ka transferuar përfitimet COSME në Institucionet Financiare Partnere duke krijuar një produkt të leverdishëm me një tarifë të garancisë më të ulët për të gjitha kreditë që përmbushin kriteret e kualifikuara. Nuk është dritare e veçantë por është e inkuadruar brenda dritareve aktuale pra, brenda dritares së rregullt dhe dritares agro.

Cilat kredi mund të përfitojnë nga COSME?

Sipas FKGK-së, kreditë e kualifikuara që plotësojnë kriteret e mëposhtme do të jenë të pranueshme për përfitimet COSME:

Shuma maksimale e kredisë është 150,000 euro, kurse shuma maksimale e garancisë është 75,000 euro.

Afati minimal i kthimit të kredisë së garantuar do të jetë 12 muaj, ndërsa afati maksimal i kthimit të kredisë së garantuar do të jetë 120 muaj.

Qëllimi i kësaj kredie mund të jetë për investime afatgjata si: për blerjen e makinerisë, pajisjeve, teknologjisë dhe pronës së paluajtshme në lidhje me aktivitetet afariste siç janë financimi i lokaleve afariste, si dhe për qëllime të kapitalit të punës.

Cilat janë karakteristikat e garancisë?

Garancitë do të ofrohen për shumën deri në 50% të kryegjësë së kredisë, ndërsa kufiri maksimal i humbjes do të jetë 12%, tipi i garancisë do të jetë një shfrytëzim, ndërkaq periudha e përfshirjes është dy vite, pra nga data 16/09/2019 deri më 15/09/2021.

Kjo linjë garantuese që do të operojë në kuadër të FKGK-së për këtë periudhë dy vjeçare, falë mbështetjes së EIF-së, do të ju ofrojë Institucioneve Financiare në vend kushte më të favorshme për garancitë kreditore. /Buletini Ekonomik/