Saktësisht para një dekade, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë president i vendit, kishte prezantuar konzorciumin izraelito-kosovar, “Satchi & Satchi dhe Pr Solutions”, të cilëve ua kishte vënë mbi supe “barrën” për përmirësimin imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare me moton: “Kosova, evropianët e rinj”.
Ky konzorcium në atë kohë për këtë qëllim kishte marrë hiç më pak se 5.7 milionë euro nga buxheti i shtetit, përderisa efekti i parave të shpenzuara mbetet zero, pasi që imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare vazhdon të mbetet i keq, raporton Portali “Front Online”.
Dhjetë vite pasi që u shpenzuan rreth 6 milionë euro për transmetimin e një reklame televizive në 6 kanale të mëdha televizive ndërkombate siç janë: CNN, BBC, Euronews, CNN Turk, Bloomberg dhe Eurosport, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan pa kurrfarë perspektive evropiane, pasi që nuk ka as liberalizim të vizave me BE-në dhe është e fundit në listën e vendeve për anëtarësim në familjen evropiane.
“Sot ne prezantojmë para rrjeteve më të shikuara televizive, imazhin e ri të Kosovës, imazhin e shtetit të Kosovës, imazhin e Kosovës së pavarur, sovrane, demokratike dhe multietnike, imazhin e Kosovës me perspektivë euroatlantike”, pati deklaruar Thaçi në tetor të vitit 2009.
Derisa milionat janë shpenzuar dhe imazhi nuk është përmirësuar, ministrja në largim e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila është kandidate për deputete nga radhët e PDK-së për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, parti kjo që më herët e ka udhëhequr presidenti aktual, Hashim Thaçi, i ka dhënë kontratë në vlerë prej rreth 900 mijë euro kompanisë “Pr Solutions”.
Kjo e fundit ka qenë partnere e Satchi & Satchi në fushatën e vitit 2009 për përmirësimin e imazhit të Kosovës.
Kontrata e “Pr Solutions”, të cilën ministrja Hoxha e ka nënshkruar në korrik të këtij viti, ka qenë më e shtrenjta, pasi që oferta më e lirë kishte qenë vetëm 285 mijë euro, apo rreth 600 mijë euro më pak se kompania fituese.
“Front Online” javë më parë i ka dërguar pyetje Ministrisë së Integrimeve Evropiane në lidhje me kontratën e nënshkruar me kompaninë “PR Solutions”, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
Ndërsa Ekrem Tahiri, drejtues i kompanisë “Pr Solutions” ka rekomanduar që për këtë çështje të kontaktohet Ministrja e Integrimeve Evropiane.