Në pikëkalimin kufitar në Merdar, doganierët serbë kanë sekuestruar automobilin e shtrenjtë të tipit “Porsche” – “911 Carrera 4 GTS”, me targa gjermane me vlerë rreth 12 milionë dinarë, përkatësisht rreth 100 mijë euro, bën të ditur B92 e Beogradit, transmeton Koha.net.
Sipas mediave serbe, vetura nuk ishte e regjistruar, as e paraqitur.
Gjykata për kundërvajtje, me një procedurë të shkurtuar e ka dënuar shoferin (48), me përkatësi kombëtare shqiptar, me vendbanim në Gjermani, me 100 mijë dinarë dhe me masën mbrojtëse konfiskimin e përhershëm të mallit të paparaqitur, siç raporton B92.
Gjatë kontrollit të dokumenteve është parë se “Porsche” nuk ka qenë i regjistruar, ndërsa është dashur ta paraqiste dhe të ishte nën mbikëqyrje doganore, që shoferi nuk e ka bërë, kka theksuar Drejtoria e Doganave të Serbisë.
“I pyetur nga doganierët se pse nuk e kishte bërë paraqitjen e automjetit se nuk ishte i regjistruar, shoferi ka thënë se ajo ishte e djalit të tij për të cilin nuk kishte ditur se nuk është i regjistruar, e as se në atë rast është dashur ta paraqesë”, thuhet në njoftimin që e transmetojnë mediat serbe.