Krah punëtorëve të saj, kundër ligjit të pagave iu ka dalë edhe menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës.
Punëtorët e KEK-ut dhe sindikata i kanë vënë të gjitha shpresat tek Institucioni i Avokatit të Popullit dhe tek Gjykata Kushtetuese, për të ndaluar hyrjen në fuqi të ligjit të ri për pagat, përmes të cilit punëtorëve të KEK-ut, u parashihet ulja e pagave, ligj ky i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti.
“E shihni çfarë ndotje ka, në çfarë pluhuri, në çfarë kushte punojnë punëtorët, çfarë kushte kemi, ata tentojnë të zbresin pagat. Ajo nuk vjen në shprehje. Ne kemi bërë presion tek sindikata e pavarur të angazhohet më tepër rreth nesh, e ne rreth sindikatës, se nuk vjen në shprehje zbritja e pagave asesi përndryshe Kosova mbetet në terr”, ka thënë punëtori Alush Muqolli.
Në Sindikatën e Re të KEK-ut, thonë se janë duke u përballur me presion të madh nga punëtorët që po ndërmarrin veprime edhe më të ashpra.
“Në KEK punohet me tri ndërrime. Punohet 24 orë. Këtu në minierë planifikohet të nxirren 8 milionë tonë qymyr brenda vitit, ndërsa tek djerrina është 12 milionë metër kub. Gjithë kjo punë bie barrë mbi punëtorin e KEK-ut, stafin udhëheqës dhe stafin menaxhues. Shpresojmë shumë në drejtësi, që gjykata do ta marr një vendim që punëtorët e KEK-ut t’i largoj nga ky ligj dhe mos të na detyroj të dalim në rrugë. Nëse vjen deri tek kjo e fundit, me keqardhje ju them qytetarëve të Republikës së Kosovës le të drejtohen nga gjeneratorët se rrymë nuk do të ketë”, deklaroi Selatin Sadiku U.D.Kryetar i SR-KEK-ut.
Ndërkaq edhe Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi ka thënë se menaxhmenti do të jetë krah punëtorëve deri në realizimin e kërkesave të tyre. “Aseti më vital i Korporatës Energjetike të Kosovës janë vetë punëtorët e tij. Falë mundit, djersës që ata kanë derdhur, ne sot kemi rezultate jashtëzakonisht të mira. Jemi kompani publike shembull nga kompanitë tjera që nuk marrim asnjë cent nga shteti, mirëpo vetëm i japim shtetit. Ne brenda një viti paguajmë rreth 24 milionë euro vetëm tantiemë, paguajmë TVSH-në sikur të gjitha kompanitë private dhe kemi një fitim rreth 17 milionë.
“Edhe njëherë dua të potencoj që kjo është falë angazhimit maksimal të të gjithë punonjësve, duke filluar nga ata që punojnë në miniera në nxjerrjen e thëngjillit e deri tek ata që merren me prodhimin final të energjisë elektrike në termocentrale”, është shprehur Thaçi.
Ai ka potencuar se Ligji i pagave që është miratuar në Kuvendin e Kosovës është i dëmshëm për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe sipas tij e dëmton mundin e punëtorëve dhe tërë këto rezultate që i kemi deri më tani.
Punëtorët e KEK-ut nuk krahasohen me punëtorët e ndërmarrjeve apo të shërbyesve civil që punojnë në zyrë pasi ata punojnë në terren, punë me ndërrime dhe me specifika të veçanta.
Thaçi është shprehur i bindur që nuk do të vjen puna deri aty, për shkak se institucionet tona do të marrin hapa konkret dhe kjo padrejtësi besoj që do të ndalet.
“Në të kundërtën, jemi të obliguar që unë si drejtor dhe të gjithë punonjësit t’i bashkëngjitemi punëtorëve në realizimin e kërkesave të tyre, sepse është një kërkesë e padrejtë dhe mendoj që të gjithë kuadrot që ne i kemi do të na ikin në tregjet tjera. Ju e dini që Termocentrali Kosova e re është në prag të fillimit apo do të filloj së shpejti dhe me këto paga aktuale në bazë të ligjit që do t’i kenë punëtorët e KEK-ut, unë mendoj se shumica e ekspertëve do të na ikin”, tha drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi.
Ai deklaroi se menaxhmenti ka marrë vendim që punëtorëve të KEK-ut t’u jepen pagat jubilare, të cilat parashihen në bazë të Kontratës Kolektive për vitin 2015, 2016, 2017. dhe do t’i paguajmë besoj deri nga gjysma e muajit të ardhshëm”.
Përkundër faktit se punëtorët i kanë shpresat tek Gjykata Kushtetese për të korrigjuar këtë padrejtësi, Avokati Popullit ende nuk e ka derguar rastin në Gjykatë. Ndësa në këtë Institucionin thonë se po bëjnë analiza rreth ankesës së dorëzuar nga punëtorët e KEK-ut.
“Kemi pranuar ankesë nga Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut lidhur me pretendimet e tyre që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave dhe lirive të tyre. Jemi duke e bërë analizën e rastit, jemi duke e studiuar se në bazë të ligjit për pagat, cilat nene apo cilat standarde ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut janë shkelur në lidhje me ligjin për pagat. Jemi në fazën e vlerësimit dhe pasi ta analizojmë gjithë rastin, ne mund t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se a ka pasur shkelje të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ne nuk kemi mandat të dërgojmë ligjin në Gjykatën Kushtetuese derisa ligji të filloj së zbatuari. Sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit për Gjykatën dhe ligjin për Avokatin e Popullit, gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi, Avokati i Popullit ka të drejtën t’i referohen një ligji në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Mehdi Geci, zëvendës i parë i Avokatit të Popullit.
Ndryshe, në shkurt të këtij viti Ligji i ri për pagat në sektorin publik mori vota pozitive nga 63 deputetë. /Buletini Ekonomik/











