Ekonomia e anashkaluar nga politikanët

Përfaqësuesit e partive politike, që pritet të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sikurse herëve të kaluara edhe para zgjedhjeve të tetorit e kanë vendosur në plan dytësor zhvillimin ekonomik. Ekspertë të fushës vlerësojnë se politikanët po e vazhdojnë avazin e vjetër, duke u marrë sërish me tema që nuk janë prioritet i qytetarëve, shkruan gazeta “Zëri”.

Caktimi i datës 25 shtator për fillimin e fushatës zgjedhore nuk i ka penguar partitë politike që fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit ta nisin para kohe. Përkundrazi, përfaqësuesit e subjekteve politike javët e fundit kanë shpeshtuar tubimet elektorale me qytetarë dhe kanë dhënë zotime të njëpasnjëshme para tyre.

Lufta ndaj korrupsionit ka qenë kryezotimi i kandidatëve të partive për kryeministër të Republikës së Kosovës javët e fundit, porse nuk kanë munguar as premtimet e atilla që për nëntë vjet rresht po u shërbehen qytetarëve, siç është ai për heqjen e vizave. Por në tërë këtë parafushatë nuk kanë zënë vend të mjaftueshëm idetë konkrete për zhvillim ekonomik të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Kështu konsiderojnë ekspertët e fushës së ekonomisë, të cilët thonë se ky sektor vazhdimisht është vendosur në plan të dytë, duke mos qenë asnjëherë prioritet as i partive e as i qeverisjeve të deritanishme.