Haradinaj vendeve anëtare të BE’së: S’do të keni kokëçarje me lëvizjen e qytetarëve tanë

Para pak ditësh në Kosovë ka qëndruar deputeti i Bundestagut, Peter Beyer, i cili në një konferencë të përbashkët me kryeministrin në detyrë Ramush Haradinajn, ka thënë që liberalizimi i vizave për Kosovën mund të jetë një dhuratë për Krishtlindje.

Megjithatë Beyer ka thënë se Gjermania e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit, por që mbështetje duhet marrë edhe nga vendet tjera që janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Për një gjë të tillë ka folur sot kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se asnjë prej shteteve që janë në Zonën Schengen nuk do të kenë kokëçarje në rast se Kosovës i hiqet regjimi i vizave.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij Kosova ka një sistem të mbikëqyrjes së lëvizjeve në kufi dhe kontroll të hyrje daljeve, dhe një gjë e tillë siç ka potencuar Haradinaj nuk do të lejojë që të befasohet askush nga kosovarët.

“Asnjë nga ministrat brendshëm të vendeve Schengen nuk do të ketë kokëçarje nga lëvizje e lirë e qytetarëve të Kosovës. Kjo për faktin, se në Kosovë ka një evidencë, një databazë, një sistem të mbikëqyrjes dhe kontrollit të lëvizjes në kufi, të hyrje-daljeve, të tillë që nuk mund të befasohet askush nga ne. Jemi në pritje të vendimit të vendeve të BE-së për liberalizim dhe i garantojmë të gjithë se Qeveria dhe Policia e Kosovës do t’i kryej me sukses detyra te veta”, ka thënë Haradinaj.

Ky lobim i Haradinajt për liberalizim të vizave vjen pasi disa shtete që janë në Zonën Schengen kanë shprehur rezervat e tyre rreth asaj nëse duhet liberalizuar vizat për shtetasit e Republikës së Kosovës.

Një qëndrim i tillë ka ardhur nga Ministri i Brendshëm i Francës, i cili ka thënë se ende nuk janë plotësuar kushtet që të ndodh liberalizimi.

Skeptike janë parë edhe Hollanda, megjithatë mbetet të shihet se cili do të jetë ndikimi gjerman dhe mbështetja e fuqishme e këtij shteti për Kosovën.

Në këtë tubim Haradinaj ka folur gjithashtu edhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, duke thënë se kushdo që nuk e dëshiron Kosovën në INTERPOL, nuk dëshiron rend dhe ligj.

“Kushdo që nuk lejon që edhe Kosova të bëhet anëtare e INTERPOL-it, nuk dëshiron rend dhe ligj, nuk dëshiron luftimin e krimit transnacional dhe kërcënimeve të tjera dhe bën kompromise me sigurinë jo vetëm të Kosovës dhe rajonit, por bën kompromis dhe e rrezikon sigurinë e kontinentit tonë”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj. /GazetaExpress/