Heqja e vizave për Kosovën, dy shtete të mëdha e bllokojnë procesin

“Tanjug” shkruan për pengesat me të cilat është duke u ballafaquar Kosova në procesin e liberalizimit të vizave.

Vendimi për heqjen e vizave për Kosovën ende është në duart e Këshillit të Bashkimit Evropian, ku për këtë temë është biseduar nga viti 2018, kanë shpjeguar nga Brukseli për “Tanjug”, transmeton lajmi.net.

Më herët ishte raportuar se Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme- LIBE gjatë takimit në Bruksel sërish ka bërë thirrje për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Votimi i ri në LIBE dhe raporti nga Tanja Fajon, raportuese e Parlamentit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është vetëm dëshmi për mbështetjen ekzistuese që Parlamenti Evropian ka ofruar në disa raste, gjatë 2018 dhe 2019 për kërkesat e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën.

Komisioni Evropian në korrik të vitit 2018 ka shpjeguar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.

Por, edhe pas rekomandimit nga Komisioni Evropian dhe mbështetja e Parlamentit Evropian, shtetet anëtare të BE-së ende nuk kanë arritur një marrëveshje për këtë çështje, transmeton lajmi.net.

Në Komisionin Evropian kanë thënë për “Tanjug” se “nuk ka risi në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën” dhe përkujtojnë se vendimi final për këtë është tek shtetet anëtare të BE-së.

Në mënyrë që Kosova ta fitojë lëvizjen e lirë në zonën Shengen duhet ta ketë mbështetjen e shumicës në Këshillin e BE-së )më tepër se 55 për qind nga më së paku 65 për qind të anëtarëve).

Së bashku me shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kundër liberalizimit të vizave për pasaportat e Kosovës janë Franca dhe Holanda.