Sot përfundon afati kohor për dorëzim në KQZ të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme. Mungesa e disa figurave kyçe të partive në këto lista pritet të jetë befasia e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Shumë ish-deputetë të partive politike në Kosovë do të synojnë të marrin mandate të reja në zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti.
Mirëpo disa prej tyre, ndonëse edhe kanë dashur vazhdimin e punës si deputetë, nuk janë kandiduar nga partitë e disa të tjerë për shkak të problemeve me ligjin do të penalizohen në zgjedhjet e ardhshme. Edhe disa figura të reja së fundmi të aderuara nëpër parti pritet të jenë befasi në këto zgjedhje, ndonëse figurat e vjetra do të dominojnë.
Dje, një ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) shumica e partive politike i kanë mbledhur këshillat e përgjithshme për të diskutuar dhe përpiluar listat zgjedhore. Mirëpo, shumica e tyre nuk kanë arritur t’i finalizojnë ato.
E vetmja që e ka finalizuar listën e saj është AAK-ja, porse as ajo nuk e ka dorëzuar ende në KQZ dhe nuk e ka bërë publike.
Emrat e kandidatëve për deputetë kanë thënë se do të dihen të premten (sot). Disa prej tyre kanë thënë se në listë nuk kanë kandidatë që ndiqen penalisht, e disa të tjera nuk e kanë mohuar këtë, duke thënë se ligji nuk ua ndalon kandidimin përderisa nuk ka vendim të prerë të gjykatës.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, disa nga partitë politike kanë vendosur t’i bashkojnë forcat e tyre dhe në zgjedhje të garojnë me një listë të përbashkët.
Partitë të cilat kanë arritur marrëveshje parazgjedhore janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, dhe koalicioni tjetër mes Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.
Deri më tani në KQZ vetëm dy parti politike i kanë dorëzuar listat. Ndryshe, fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 6 tetor, ditë e diel. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës pritet t’i kushtojë afro 6 milionë euro.