Identiteti i një dëshmitari, që Gjykata Themelore në Prishtinë po e trajton si të mbrojtur në rastin e njohur si “Toka”, është i ditur për avokatët e mbi 20 të akuzuarve. Emri i tij gjendet në të gjitha shkresat e lëndës e edhe në aktakuzë, ashtu siç ligjërisht nuk mund të gjendet emri i një dëshmitari të mbrojtur, shkruan sot Koha Ditore.
Kur dëshmitari është i mbrojtur në aktakuzë e shkresa të lëndës nuk guxon t’i përmendet emri. Prokurori i rastit i referohet me nofkë ose emër identifikues, për shembull dëshmitari X ose Y.
Emrat e dëshmitarëve që janë në listën e personave që do të dëshmojnë kundër grupit të akuzuar në rastin “Toka”, kryeprotagonist i të cilit është ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, janë lexuar në seanca publike.
Megjithatë, të mërkurën, nga dëshmia e një dëshmitari është privuar publiku.
Policia ua ka ndaluar medieve pjesëmarrjen në seancë, duke e arsyetuar që është vendim i trupit gjykues që gjykimi të mbahet i mbyllur.
Drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se mbyllja e tillë po bëhet për t’i mbrojtur të akuzuarit.
“Në raste të tilla kur mbyllja e gjykimit për publikun bëhet pa aktvendim me shkrim, në të cilin arsyeton mbylljen, atëherë kjo bëhet për të mbrojtur të akuzuarit”, ka thënë ai.