Një pjesë e madhe e zonës malore në Gjakovë është përfshirë nga zjarri që nga 27 gushti.
Zëdhënësja e Policisë në Gjakovë, Lirije Podrimaj, ka thënë për Koha.net se një pjesë e zjarrit nuk është arritur të shuhet për shkak të terrenit të papërshtatshëm.
Ajo tutje shton se ekipet e zjarrfikësve janë në terren derisa ka bërë të ditur se banorët nuk janë të rrezikuar.
“Një pjesë e madhe e zonës malore që është në zonën e përgjegjësisë së DRP – Gjakovë është përfshirë nga zjarri që nga data 27.08.2019. Lidhur me këtë rast janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilat vazhdojnë të punojnë në terren për shuarjen e zjarrit. Për shkak të terrenit të pa përshtatshëm dhe pa mundësisë së zjarrfikësve për të arritur në afërsi të lokacionit një pjesë e zjarrit nuk është arritur të shuhet. Bazuar në informatat nga terreni nuk ka rrezik për banorët”, ka thënë Podrimaj.