Shabani-Mullarama: BQK nuk duhet t’i rrisë çmimet në sigurime, por ta sigurojë konkurrencën

Në vend të rritjes së çmimit të sigurimit për vetura, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) duhet ta liberalizojë tregun e sigurimeve dhe të fusë konkurrencë të shëndoshë mes kompanive të sigurimeve.

Kështu thotë Leonita Shabani-Mullarama, juriste e fushës së konkurrencës dhe e diplomuar në “Free University of Berlin”, lidhur me paralajmërimet për rritjen prej 35 për qind të çmimit të sigurimit për vetura.

Njëra nga arsyet për këtë rritje është përmendur falimentimi i kompanisë “Insig”, por Shabani-Mullarama thotë se kjo arsye bie poshtë, meqë, kjo më shumë ka të bëjë me mungesë të menaxhimit nga ana e rregullatorit.

Reklama e sponzorizuar

“Për dështim në lidhje me menaxhimin e rrezikut për të mbajtë nivelin e kapitalit në raport me rreziqet e ndërmarra dhe dështimin në mbikëqyrje nga ana e BQK-së, dikush duhet të jap përgjegjësi!”, ka thënë ajo.

Sipas saj, tregu urgjentisht duhet të liberalizohet dhe BQK ta luaj rolin e rregullatorit “ex ante” dhe nëse dështon, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet të veproj “ex post” për të siguruar që konsumatorët (qytetarët nuk vazhdojnë të dëmtohen) dhe që alokimi i tregut nga kompanitë e sigurimit të ndërpritet.

“Nëse ndonjë propozim për rritje të çmimeve është rezultat i dështimit të BQK të rregulloj dhe mbikëqyrë tregun e sigurimeve, kjo asesi nuk mund tu faturohet qytetarëve (konsumatorëve)”.

Shabani-Mullarama ka përmendur dy metoda të pranishmë në tregun e sigurimeve në Kosovë, e që kanë të bëjnë me situata monopolistike.

Sipas saj, metoda e vendosjes se ‘Kuotes së shitjes’ në kombinim me metoden e ‘Alokimit të konsumatorëve’ janë jashtëzakonisht efektive për kartelistët.

“Kuota e shitjes nënkupton sasinë e polisave që secila kompani e sigurimit lejohet ta shes (sipas praktikave, zakonisht vendoset një minimum). Qëllimi është që gradualisht të rritet çmimi i polisave. Alokimi i konsumatorëve është marrëveshja e kompanive për të ndaluar konkurrencën, kështu duke siguruar që konsumatorët të mbeten tek kompanitë ku janë”, thotë ajo.

Gjykata në rastin Verband der Sachversicherer të vitit 1987, sipas Shabani-Mullarama ka konfirmuar që rekomandimi i Shoqatave (Byrove) në lidhje me rritjen e çmimeve për shërbimet e ofruara nga kompanitë (anëtarët) është në kundërshtim me rregullat e konkurrencës që kanë objekt fiksimin e çmimeve të blerjes apo shitjes apo kushte të tjera të tregtisë.

“Kjo nënkupton që rregullat e konkurrencës mbizotërojnë ato të Rregullatorit në këtë rast të BQK-së!”, vlerëson ajo.

Ndryshe, një raport final i hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) propozon rritje prej 35 për qind të çmimit të sigurimit për automjete. Raporti të cilin e ka parë Buletini Ekonomik tashmë u është dorëzuar kompanive të sigurimeve dhe pritet vetëm marrja e vendimit nga organet e BQK-së.

Kjo i bie që varësisht prej fuqisë së motorrit me rritjen e re qytetarët do të paguajnë prej 27 deri 210 euro më shtrenjtë për sigurimin e automjeteve.

Përmes kësaj rritjeje, po synohet që dëmet e mbetura nga kompania e falimentuar “Insig”, t’i paguajnë qytetarët e Kosovës. Kjo është njëra nga pikat përmes të cilës kompanitë e sigurimeve e kanë arsyetuar rritjen e çmimit prej 35 për qind të sigurimit të automjeteve, bazuar në disa dokumente të siguruara nga Buletini Ekonomik.