Shumica e QMF-ve nuk punojnë në Kosovë natën, s’ka mjekë

Shumica e qendrave të mjekësisë familjare në Kosovë nuk japin shërbime gjatë natës, kështu pacientët detyrohen të kërkojnë trajtim mjekësor në spitalet publike në vend.

Drejtorë të Shëndetësisë në Komunë kanë thënë se shkak për mosfunksionimin e QMF-ve gjatë natës është mungesa e buxhetit dhe e stafit mjekësor, shkruan sot gazeta Zëri.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj, ka thënë për gazetën Zëri se si Drejtori e Shëndetësisë nuk kanë hapësirë buxhetore për angazhimin e stafit shtesë për funksionalizimin e qendrave mjekësore 24/7. Sipas saj, në këtë komunë QKMF-ja jep shërbime gjatë natës. “Në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë gjendet Sektori i Urgjencës, i cili jep shërbime shëndetësore 24/7, si dhe Sektori i Shëndetit Oral, i cili ofron shërbime 24/7. Në Komunën e Mitrovicës kemi edhe spitalin rajonal ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’, i cili funksionon me të gjitha repartet me orar 24/7 e në kuadër të saj është edhe Sektori i Urgjencës, ku qytetarët e kësaj komune marrin shërbime shëndetësore në dy urgjencat, pasi që edhe me lokacion nuk janë larg”, ka thënë ajo.

Reklama e sponzorizuar