AUV mbyllë tregun e Prishtinës, konfiskon 4 lopë dhe 30 pula

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), me asistimin e Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë dje një aksion në tregun e kafshëve në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, ku ka konfiskuar disa lopë dhe pula, të cilat shiteshin dhe therreshin në mënyrë ilegale, raporton portali  “Front Online”.

Zëdhësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë për “Front Online” se inspektorati kompetent ka inicuar fletparaqitje ndaj të gjithë shitësve të kafshëve të cilët i  kanë therrur kafshët në atë treg.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pranuar një kërkesë nga Policia e Kosovës dhe organet tjera shtetërore për një kontrollë emergjent të një lokacioni ku tregtoheshin kafshët.  Inspektorët Veterinarë të AUV-së kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në koordinim me autoritetet tjera të kontrollit, bashkë me Policinë janë ndaluar dhe janë kontrolluar të gjithë shitësit e kafshëve në ketë hapësirë. Inspektorati ka iniciuar fletëparaqitje për të gjithë shitësit të cilët kanë qenë duke tregtuar dhe që nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore për tregtim të sigurt”. ka thënë Thaçi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se ai treg nuk i plotëson as kushtet minimale higjieno-sanitare për zhvillimin e aktivitetit për tregtim të kafshëve dhe shpezëve.

“Hapësira nuk ka poseduar as kushtet minimale higjieno- sanitare  për zhvillim të aktivitetit për tregtim të kafshëve dhe shpezëve. Në këtë hapësirë është hasur ne therje ilegale të kafshëve dhe shpezëve, veprim ky i kundërligjshëm dhe i cili e rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik Kafshët dhe shpezët  që kanë qenë duke u therur janë konfiskuar dhe asgjësuar menjëherë. Numri i kafshëve të therura  cilat janë konfiskuar është 4 lopë dhe 30 pula . Ndaj personave është iniciuar fletëparaqitje për Gjykatë”, deklaroi Thaçi.

Tregui  kafshëve dhe shpezëve pas përfundimit të aksionit është mbyllur nga inspektorati veterinarë, ku janë  vendosur shirita për ndalim të aktivitetit.

Lidhur me këtë AUV ka njoftuar organet tjera shtetërore të nivelit qendror dhe lokal se kjo hapësirë nuk duhet lejuar të funksionoj si treg.