Bizneset vendase nuk ndjekin zhvillimet që kërkon koha, zero investime në kërkim shkencor.
Në vendet e zhvilluara, por edhe në ato në zhvillim, gati gjysma e investimeve në vlera monetare për shkencën dhe teknologjinë bëhen nga sektori privat dhe pjesa tjetër, nga qeveritë dhe entet publike.
Mirëpo ky raport nuk është i vlefshëm për Shqipërinë, pasi si qeveria ashtu dhe bizneset u kanë thënë jo investimeve në shkencë dhe kërkim. Në këtë aspekt, Shqipëria ka një hendek shumë të madh jo vetëm me Europën, por edhe me rajonin.
Një kërkim shkencor i INSTAT mori në vrojtim rreth 1566 biznese në të gjithë vendin dhe vërejti se vetëm 3% prej tyre ishin të dedikuara për të investuar në aktivitete shkencore dhe zhvillim. Nga ana tjetër, investimet publike për këtë qëllim janë shumë më pak se 1% e PBB-së.
Ekspertët e INSTAT, në vrojtimin e posaçëm për sektorin publik, përzgjodhën një listë të institucioneve, të cilat mund të kryejnë aktivitete kërkimore.
Për të rritur shkallën e përgjigjes dhe cilësinë e të dhënave të raportuara u zhvillua një trajnim i njësive institucionale publike. U përzgjodhën gjithsej 37 institucione. Ky vrojtim u përzgjodh si një kampion “i qëllimshëm”, i përbërë nga të gjitha institucionet kryesore të sektorit publik në Shqipëri. Mbledhja e të dhënave për sektorin e ndërmarrjeve dhe organizatave private jofitimprurëse u krye nëpërmjet anketuesve, me intervistim të drejtpërdrejtë.
Sektori i ndërmarrjeve përfshiu një kampion prej 1,566 ndërmarrjesh dhe OJF nga një popullatë prej rreth 3,628 ndërmarrjesh brenda fushës së veprimit, bazuar në Regjistrin Statistikor të Ndërmarrjeve (RSN) aktive deri në fund të vitit 2017.
Vetëm 3,1% e ndërmarrjeve që u përgjigjën nga sektori privat deklaruan se kishin ndërmarrë K&Zh brenda vendit, në kampionin prej 1,566 njësive të vrojtuara.
Avancimi në inovacion dhe shkencë janë ndër kushtet e vështira që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u anëtarësuar në BE. Por, sipas të dhënave të fundit të publikuara, Shqipëria është ndër vendet e fundit që ka përfituar fonde për kërkim shkencor. Sipas të dhënave, 26 pjesëmarrës kanë përfituar fonde, të cilët përllogariten 0.01% e totalit të fondeve Horizon 2020.
Në përputhje me përqindjen e lartë të propozimeve, Zvicra është vendi më aktiv i lidhur me pjesëmarrjen, me 2.808 pjesëmarrje, rreth 37% të pjesëmarrjeve nga vendet pjesëmarrëse.
Norvegjia, Izraeli dhe Turqia llogariten për 23%, 17% dhe 9% të pjesëmarrjeve nga vendet e shoqëruara. Në përputhje me modelet e tyre të aplikimit, vendet e asociuara me pjesëmarrjen më të madhe (më pak se 1% e pjesëmarrjeve nga vendet e asociuara) janë Tunizia, Moldavia, Gjeorgjia, Mali i Zi, Shqipëria, Armenia dhe Ishujt Faroe.
Në vitin 2014, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen me Komisionin Europian për të marrë pjesë në Programin Kuadër për Kërkim – Shkencor e Inovacion Horizon 2020 (2014-2020) që ndoqi programin paraardhës FP7. Programi Kuadër i BE-së për Kërkim – Shkencor e Inovacion Horizon 2020 ka në fokus të veçantë marrëdhëniet e bashkëpunimin mes biznesit e komunitetit kërkimor shkencor. /Monitor/