Ikja me vizë

Fotografi ilustruese

Evropa është e ndaluar për “evropianët e rinj” nëse në xhep nuk e kanë pasaportën të vulosur me vizën Schengen. Pa alternativë, presin me vite vetëm për të aplikuar nëpër ambasadat perëndimore.

Shumë prej tyre janë fëmijë të prindërve që para luftës kaluan ilegalisht disa kufij për të mbërritur në shtetet perëndimore. Në liri u kthyen në vendlindje me shpresë se fëmijët e tyre nuk do të shtrëngoheshin të merrnin udhën drejt Perëndimit. Shtetasit e Kosovës janë të vetmit që përballen me regjimin e vizave në Evropë, shkruan sot Koha Ditore.

Astrit Baraliu, gjimnazist i “Jetës së Re” në Suharekë, po pret që babai t’ua rregullojë dokumentet që familjarët t’i bashkohen në Itali. Tinejxheri nuk e sheh të ardhmen e tij në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

“Unë e kam një andërr; veç me lëshu këtë vend sa ma shpejt. S’ka perspektivë të vendit këtu”, ngulmon ai. Si ai mendojnë edhe shumë shokë me çanta hedhur supeve. Porse janë lëshuar nga shkolla në një mesditë messhtatori. Qielli është i kthjelltë. Baraliu është zhgënjyer jashtë mase me mungesën e shërbimeve publike në vend. Atmosfera ndërron përnjëherë kur fjalët ia këput një nxënësit – që duket se nuk është në klasë me Baraliun. “A ban me fol?” – thotë gjimnazisti tjetër, teksa kalon. Grupe-grupe nxënësish lëshohen teposhtë qendrës në drejtim të kafeneve poshtë ndërtesave të vjetra. Të rejat janë ndërtuar në pjesë të ndryshme të rrugës kryesore. Janë disa kate më të larta.

“A mund t’ju ndihmoj?”

“A mund t’ju ndihmoj?” – ofrohet një djalosh trupgjatë përpara objektit me tulla të Vetëvendosjes. Poshtë pihet kafe.

Në krye të qytezës, Baraliu tregon se do të shtrëngohet të marrë udhë drejt Prizrenit e anasjelltas nëse Italia ia jep vizën. “Në Suharekë nuk ka kurs të italishtes”, thekson ai. Nuk e di se edhe sa do të presë. Shpreson që së paku të marrë përgjigje pozitive. “Si të më jepet mundësia, iki menjëherë. Duam të shkojmë me familje. Kam edhe një motër më të madhe dhe vëllanë”.