Furnizim të mirë me energji elektrike pritet të ketë gjatë këtij sezoni. Kjo pasi KEDS dhe KEK kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të ketë stabilitet gjatë gjithë dimrit.
Rënia e temperaturave do të ngarkoj edhe rrjetin e energjisë elektrike pasi shumë qytetarë përveç lëndëve të ndryshme djegëse përdorin rrymën për ngrohje. Institucionet përgjegjëse thonë të kenë bërë përgatitjet e nevojshme.
“Energjia elektrike shkon përtej kësaj, do më thënë është edhe prodhimi edhe tregu edhe transmisioni i saj nuk varet vetëm nga ne 100% se si do të jetë furnizimi por varet edhe nga akterët tjerë që janë në këtë treg ne jemi përgatitur maksimalisht”, tha për RTK zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Në një përgjigje për RTK-në edhe KEK-u ka siguruar se do të ketë stabilitet të furnizimit me energji elektrike gjatë këtij sezoni.
”Kemi bërë të gjitha përgatitjet edhe për sezonin dimrit dhe nuk ka mëdyshje se prodhimi do të vazhdojë edhe gjatë gjithë sezonit. Në vazhdën e përgatitjeve dimërore, përveç remonteve të blloqeve, KEK-u bën edhe planifikimin e rregullte të mbrojtjes së objekteve dhe pajisjeve kryesore dhe gjithashtu kujdeset që të ketë rezerva të mjaftueshme të lëndës djegëse ‘, thuhet në përgjigje.
Ndërkohë Buzhala ka theksuar se problem kanë edhe me humbjet e energjisë.
“Humbjet realisht kemi të bëjmë nëse mund të shprehem bukfalisht me vjedhjet e energjisë të cilat në disa zona janë mjaft problematike. *A nuk po e bëjnë gjykatat punën e tyre?. Pjesën më të madhe nuk po e kryejnë punën e tyre fatkeqësisht , kërkojmë që të jenë shumë më agile (efikas) në punën e tyre në mënyrë që të rregullohet përfundimisht sektori i energjisë elektrike në Kosovë”, tha Buxhala.
RTK-ja ka provuar të marrë përgjigje edhe nga KEK-u e KOSTT-i por ata nuk janë përgjigjur pyetjeve të televizionit.