Këshilla si të mos e merrni punën me vete edhe në shtëpi

Sipas vlerësimeve të disa psikologëve të mirënjohur, puna dhe karriera është një prej fazave më të rëndësishme gjatë jetës dhe ajo që na bën të ndihemi të plotësuar.

Por shpeshherë, ndodh që një pjesë e madhe prej nesh të kthehen në njerëz të fiksuar pas punës dhe të shpenzojnë në punë më shumë kohë sesa duhet, duke prishur balancat jetë profesionale dhe jetë personale. Madje ka disa nga ata persona që arrijnë deri aty sa e harrojnë fare veten dhe se harrojnë se kanë edhe një jetë personale.

Cili është thelbi i problemit dhe si të mos e marrin punën me vete edhe në shtëpi

Reklama e sponzorizuar

Në ditët e sotme, ecuria shumë e shpejtë e bizneseve, progresi i shpejtë teknologjik, konkurrenca e ashpër në tregjet e punës krijojnë në vazhdimësi sfida të panumërta për punonjësit. Por për të përmbushur të gjitha këto standarde të reja, shpeshherë punonjësit e gjejnë veten të mbingarkuar dhe përpara se të kenë përfunduar plotësisht një projekt të caktuar, ata përfshihen në një projekt të ri. Kjo do të thotë se 8-orarëshi i një dite pune nuk është i mjaftueshëm për ta dhe prandaj ata detyrohen që ta marrin punën me vete edhe në shtëpi, sigurisht në kurriz të familjes së tyre, sepse i marrin kësaj të fundit një kohë të çmueshme.

Këshilla që do t’ju ndihmojnë që mos ta merrni punën me vete në shtëpi

  1. Planifikim efikas

A e keni vënë re shpeshherë se koha fluturon dhe ju nuk keni asnjë rezultat mbi tavolinë por e shikoni veten duke punuar vazhdimisht dhe mbi të gjitha, ndiheni tmerrësisht të lodhur? Këto janë pasojat e para të cilat pasqyrojnë keqmenaxhimin e kohës. Ju gjithmonë e gjeni veten me shumë punë për të bërë dhe që kurrë nuk arrini të përfundoni pjesën më të madhe prej tyre. Një arsye tjetër që ndikon në këtë drejtim është edhe mungesa e planifikimit efikas. Nëse ju do të bëni një planifikim të duhur të ditës suaj të punës, atëherë do ta keni më të lehtë për t’u marrë fillimisht me punët më urgjente dhe më pas me ato të cilat mund të presin edhe të nesërmen.

  1. Delegimi i detyrave te personat përgjegjës

Mendimi se askush tjetër nuk mund ta bëjë mirë punën ashtu siç do ta bënit ju është plotësisht i gabuar. Edhe kur ju i delegoni dikujt detyra të caktuara, kjo nuk do të thotë se ai do të marrë kontrollin e plotë mbi punën tuaj. Si pasojë e një frike të tillë ju e gjeni veten të mbingarkuar me punë dhe shpeshherë në pamundësi për të mbyllur një numër të madh prej tyre.

  1. Përcaktoni prioritetet

Përcaktimi i prioriteteve, sidomos sa i takon punës dhe familjes, është një çështje shumë e ndërlikuar sidomos për gratë të cilat e gjejnë veten shpeshherë të mbingarkuara si pasojë e punëve të shumta që marrin përsipër si në familje ashtu edhe në punë. Prandaj mos hezitoni që disa herë të kërkoni të punoni nga shtëpia. Përcaktoni prioritetet, si dhe një axhendë individuale e cila do të funksionojë në të mirë të menaxhimit dhe të organizmit të ditës suaj.

  1. Pas pune, mos e hapni më email-in e punës

Edhe disa vite më parë, atëherë kur pajisjet e ndryshme teknologjike nuk ishin kaq të përhapura saç janë sot, punonjësit ishin shumë produktivë. Çfarëdo që të ndodhë pas orarit zyrtar të punës, mund të presë deri nesër, sepse në të kundërt askush nuk do të kishte mundësi të shkëputej nga puna. Por çfarë ka ndryshuar? Asgjë përveç teknologjisë dhe zhvillimit të pajisjeve të ndryshme teknologjike. Për këtë arsye këshillohet që ju të mos i hapni email-et e punës kur të shkoni në shtëpi, por t’ia kushtoni atë kohë familjes.