Ky është plani i Vetëvendosjes për minihidrocentralet e gurthyesit

Lëvizja Vetëvendosje ka dal të jetë partia më e votuar në Kosovë në zgjedhjet e djeshme të parakohshme parlamentare. Kjo parti në programin e tij për katër vjetet e ardhshme e ka edhe  paktin e mbrojtjes së mjedisit.

Në kuadër të këtij pakti parashihet ndalimi i minihidrocentraleve private dhe vendosja e rregullit dhe kontrollit për gurëthyesit, transmeton Ndërtimi.info.

“Në të gjitha rastet e dëmtimit, abuzimit, tejkalimit të autorizimit do të ndalen ndërtimet e minihidrocentraleve private sepse prioritet të lartë kemi mbrojtjen e pellgjeve lumore dhe shtrirjen e rrjeteve të ujitjes e ujit të pijes. Vendosja e rregullit dhe kontrollit për gurëthyesit që kanë shkelur normat apo kanë rrezikuar zonat e banuara shoqëruar me mbylljen e atyre që ilegalisht pa standarde po operojnë si dhe moratorium ndaj licencave të reja deri në stabilizimin e situatës mjedisore, do të jenë dy hapat e tjerë për ndaljen e ndotjes dhe dëmtimin mjedisor. Po ashtu do të mbështesim projektet që sigurojnë filtra të teknologjisë bashkëkohore në termocentrale. Tokat bujqësore shpallen të paprekshme dhe të patjetërsueshme”, thuhet në programin qeverisës të VV-së.

Reklama e sponzorizuar

Ky program përfshinë edhe deponitë e hapura të mbeturinave dhe kanalizimet e hapura.

“Hapësirat e mbuluara nga sistemet e ujitjes dhe komasacioni merren në mbrojtje efektive. Veprojmë intensivisht dhe pa tolerancë ndaj ndotësve masiv industrial duke i izoluar, mënjanuar, penalizuar dhe rikthyer gjendjen para ndotjes. Peizazhin pyjor dhe shtretërit e lumenjve i restaurojmë dhe rregullojmë duke buxhetuar e punuar intensivisht. Deponitë e hapura të mbeturinave dhe kanalizimet e hapura të ujërave të zeza do të transformohen në sisteme bashkëkohore të përpunimit dhe pastrimit. Planifikojmë politikë të re për materialet e plastikës dhe zëvendësimit të tyre gradual”, theksohet në këtë program.