Kosova dhe Shqipëria nuk po mund t’i kalojnë barrierat që po ballafaqohen bizneset. Një rast i fundit ku është përballur me telashe të tilla është raportuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës. Ky institucion ka treguar se një shofer nga Kosova është gjobitur me 100 mijë lekë apo 800 euro për tahograf të kamionit.
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) shprehet shumë e shqetësuar për barrierat që po iu krijohen bizneseve transportuese në lidhje me tahografin.
OAK ka pranuar një ankesë nga anëtari i saj biznesi RONEX, i cili është gjobitur me 100 mijë lekë apo 800 euro për tahograf të kamionit edhe pse autoritetet shqiptare janë të informuara që Kosova dhe operatorët transportues nga Kosova, nuk kanë mundësi që të pajisen me kartelë dixhitale për shoferët profesionist pasi që shteti ynë nuk është pjesë e organizatës botërore të transportit TIR.
“Me PROTOKOLL TË MIRËBESIMIT” bizneset e Kosovës janë të liruara nga një kërkesë e tillë në Shqipëri dhe disa vende të rajonit. Ky nuk është rasti i fundit ku kompanitë gjobiten nga Autoritet Shqiptare që transportojnë mallra nga Porti i Durrësit, një barrierë tjetër që u shfaqet është edhe kufizimi që u bëhet për faktin se në rezervuarët e kamionëve duhet të kenë vetëm 200 litra derivate në momentin që kamioni hyn në Shqipëri. Bizneset pohojnë se asnjë praktikë ndërkombëtare dhe rajonale nuk e ndalon që mos të ketë derivate në rezervuarin e kamionit me sasinë që e lejon prodhuesi, sasi kjo që varion nga 400 lekë deri 800 lekë. Në këtë rast kamionët nga Kosova nuk guxojnë që në rezervuarët e tyre të kenë sasi derivati mbi 200 lekë, sepse përndryshe do të gjobiten dhe iu konfiskohen patent shoferët vozitësve”, thuhet në reagimin e OAK-ut.
Oda thotë se këto barriera që po iu bëhen bizneseve transportuese, po e vështirësojnë operimin e tyre.
OAK bënë thirrje autoriteteve shqiptare që të kenë parasysh marrëveshjet paraprake dhe marrëveshjet që kemi mes dy shteteve tona, në mënyrë që ato të mos mbesin vetëm në letër, por të gjejnë zbatim praktik, në mënyrë që barrierat e panevojshme që po iu krijohen bizneseve të tejkalohen.
Një dekadë me barriera
Shqipëria dhe Kosovë ka më shumë se 10 vite që përballen me barriera e telashe. Ankesat më të mëdha të bizneseve kanë qenë për taksën rrugore e tarifat e ndryshme.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës përmes një reagimi muaj më parë i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për heqjen e të gjitha barrierave tregtare që prodhuesit e Kosovës po hasin gjatë eksportit të produkteve të tyre në tregun shqiptarë.
“Për prodhuesit e Kosovës është e papranueshme që pengesat të tilla të jenë ende të zbatueshme për ta, edhe përkundër faktit që është e disata herë që këto kërkesa janë adresuar tek qeveria shqiptare për heqjen e barrierave dhe unifikimin e tregut kombëtarë shqiptarë. Por përveç premtimeve dhe fjalëve shpresë dhënëse, deri më sot nuk ka pasur asnjë përpjekje për largimin e këtyre barrierave”, thuhet në reagim.
Klubi i Prodhuesve thekson tutje se barrierat kryesore për prodhuesit kosovar po hasin gjatë eksportit në tregun e Shqipërisë janë barriera tarifore dhe jo-tarifore, ku në çdo eksport, autoritetet shqiptare kërkojnë Certifikatën e Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar.
“Është absurde për prodhuesit kosovarë që në shkëmbimet e tyre tregtare, Shqipëria të jetë e dyta, pas Serbisë, sa i përket barrierave me të cilat ata përballën. Prandaj, Klubi i Prodhuesve të Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë që sa më parë të bëjë shqyrtimin e të gjitha kërkesave të prodhuesve kosovarë, dhe të bëjë largimin e barrierave të cilat vetëm sa i dëmtojnë rëndë përpjekjet për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, të cilat jo rrallë herë janë cekur si interes strategjik i të dy qeverive”.
Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në një deklarim për media ka folur për barrierat në mes Kosovës dhe Shqipërisë, efektet e taksës 100 për qind, si dhe për vështirësitë e bizneseve në Kosovën.
Rukiqi ka thënë se nuk ka vullnet për t’i rritur shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri pavarësisht kapaciteteve. Madje shuma e shkëmbimeve tregtare sipas tij, është sikur të ishin e dy kompanive, e jo e shteteve.
“Në vend që ne të diskutojmë për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri, po diskutojmë për barriera. 10 vite të raporteve ndërshtetërore duke ditur që Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 2008, si raporte ndërshtetërore 10 vite apo një dekadë e këtyre raporteve në kuptimin ekonomik e në aspektin e bashkëpunimit tregtar dhe të investimeve është dekadë e barrierave”.
Ai i ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për mos angazhim për t’i zgjedhur pengesat për bizneset që duan të eksportojnë në Shqipëri. /Monitor.al/