PDK akuzon pushtetin në Podujevë për zvarritjen e zgjedhjes së krerëve të fshatrave

Zyrtarë të partisë opozitare në Podujevës, PDK, kanë kërkuar nga komunarët që sa më parë të fillojnë mbajtjen e kuvendeve për zgjedhjen e përfaqësuesve të fshatrave. Këshilltari i kësaj partie, Rafet Llapashtica, ka thënë se kjo është zvarritje e qëllimshme nga Komuna e Podujevës.

Sipas tij, vonesa e përzgjedhjes së këtyre përfaqësuesve është me pasoja për qytetarët, shkruan sot Koha Ditore.

“Zvarritja e përzgjedhjes së kryetarëve të fshatrave është mase e tepruar. Tani me të gjitha elementet juridike dhe me udhëzimin administrativ që është në fuqi është obligim ligjor i të gjitha komunave që të përzgjedhin kryetarët e fshatrave të cilët duhet të jenë njerëz jopolitikë, me një fjalë të mos jenë të zgjedhur politikë të ndonjë subjekti apo bartës të funksioneve politike”, ka thënë Rafet Llapashtica.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo zvarritje është e qëllimshme nga Komuna e Podujevës sepse e dinë që në çdo fshat dhe lagje qyteti më nuk do të mund të emërojë në bazë të dëshirës askënd përgjegjës të fshatit apo lagjeve të qytetit. Pasojat e moszgjedhjes të këtyre përfaqësuesve janë të mëdha për qytetarët që jetojnë atje, sepse çdo investim apo subvencionim nga Komuna tani bëhet vetëm në baza politike apo partiake e jo në bazë të nevojave primare të qytetarëve si tatimpagues”.

Moszgjedhja e tyre, sipas tij, luan rol edhe në sigurinë e fshatit apo lagjes së qytetit.