Sa më shumë inteligjencë artificiale, aq më shumë shërbime online. Janë të shumtë sektorët profesionalë të cilët kërcënohen nga zhdukja për shkak të zhvillimit të shpejtë teknologjik. Duke filluar me ekonominë “sharing” dhe bizneset e reja inovative, profesionet tradicionale janë të destinuara të ndryshojnë ose të zhduken plotësisht.
Sipas një studimi të Financial Times, përcjell Telegrafi, disa nga profesionet që rrezikojnë më shumë janë agjencitë e udhëtimit, kompanitë e sigurimit, industria prodhuese, konsulentët financiarë, repartet për riparimin e makinerive si dhe rezervimet.
Agjencitë e udhëtimit
Në qoftë se deri më tani na duhej të shkonim nëpër agjencitë e udhëtimit për të rezervuar një hotel, një biletë udhëtimi apo një tur turistik, me krijimin e platformave të ndryshme online, kjo gjë ka filluar të evitohet. Mjafton t’ia hedhin një sy Booking, Expedia, Skyscanner, etj., për të planifikuar një udhëtim.
Studime të kryera nga Byroja e Statistikave të Punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregojnë që numri i agjentëve të udhëtimit ka rënë nga 132 mijë në vitin 1990 në 74 mijë deri më sot. Parashikimi është që do të ketë një ulje deri në 12 për qind brenda vitit 2024.
Kjo nuk do të thotë një zhdukje totale e agjencive të udhëtimit, por këto agjenci duhet të punojnë fort për të ecur në hapat e botës dixhitale. Agjencitë që do të mbijetojnë do të jenë ato që merren me organizimin e udhëtimeve të rëndësishme, siç është muaji i mjaltit, një mbledhje familjare, një udhëtim personeli, etj.
Industria e printimit 3D
Printerët 3D tashmë janë kthyer në pushtues të industrisë prodhuese. Kompanitë nuk do të kenë më nevojë të porosisin pajisjet për të cilat kanë nevojë, do të mjaftojë thjesht një dizanjim dhe shtypja e butonit për printim. I tillë është rasti i kompanisë Bosch, e cila është shprehur se synon të prodhojë vetë, me anë të printerit 3D, të gjitha pajisjet e nevojshme për produktet e saj. Brenda 10 vjeçarit të ardhshëm, kjo kompani ka në projekt të printojë 40 për qind të komponentëve që çon në kursim 60 për qind të kostove të prodhimit.
Sigurimi i automjetit
Me shtimin e makinave autonome do të ketë një ulje të numrit të aksidenteve, pasi kompjuterët respektojnë të gjitha rregullat mbi bazën e të cilave janë programuar. Nuk do të ketë asnjë mundësi për të evituar gropat apo kaluar me semafor të kuq. Nga njëra anë kjo do të jetë shumë pozitive për përdoruesit, por negative për kompanitë e sigurimit, të cilat me një ulje të rrezikut, do të përjetojnë edhe ulje të kostos së polisave, përcjell Telegrafi.
Polisat e sigurimit nuk do të firmosen më nga individët, por drejtpërdrejtë nga kompanitë e prodhimit të automjeteve e në këtë rast pritet një ulje të kërkesave në 80 për qind deri në vitin 2040.
Algoritmet si këshilltarë financiarë
Një kategori tjetër që preket drejtpërsëdrejti nga teknologjia janë edhe konsulentët financiarë. Në internet qarkullojnë faqe të ndryshme, të ndërtuara mbi algoritme, që ofrojnë shërbime dhe këshilla financiare.
Tashmë, janë krijuar platformat konsulentët-robotë, të cilët monitorojnë portofolin e fondit të investimeve me anë të pyetësorëve online.
Makinat elektrike reduktojnë punën e reparteve riparuese
Avantazhet e makinave elektrike tashmë janë bërë të njohura për të gjithë. Këtyre i shtohet edhe ulja e kostos së mirëmbajtjes. Përdoruesit e makinave elektrike nuk e kanë më të nevojshme të drejtohen tek mekaniku për probleme të makinës pasi pjesët janë shumë të vështira për t’u prishur. Si për shembull, në rastin e një Tesla, nevojiten vetë 18 pjesë të makinës për t’u vënë në lëvizje, prandaj mekanikëve do u duhet të synojnë zhvillimin e kapaciteteve në fushën e elektronikës në mënyrë që t’i mbijetojnë teknologjisë, përcjell Telegrafi.
Përdorimi i Uber në vend të makinave me qira
Në sektorin e transportit dhe turizmit, po lulëzon fenomeni i “car sharing” dhe Airbnb, të cilat janë platforma që po sjellin revolucion në mënyrën e të udhëtuarit të personave. Çmimet janë më të ulëta dhe koha që nevojitet është më e shkurtër, për të rezervuar një dhomë në Airbnb mjafton një klikim, ndërkohë në qoftë se ke nevojë për një shoqërim me makinë, me anë të aplikacionit shoferi vjen në moment. Shqetësimi i kompanive të mëdha të hotelerisë dhe makinave me qira është më se e dukshme.
Europcar një nga kompanitë më të mëdha në Evropë për makinat me qira, ka nisur një sërë projektesh duke filluar nga “car sharing” në investimet në teknologjitë e reja në mënyrë që të modifikojë modelin e saj të biznesit dhe gjithashtu t’i mbijetojë ndryshimeve teknologjike. /Telegrafi/