Normat efektive të interesit në institucionet mikrofinanciare në vendin tonë për produktet e tyre po arrijnë deri në 74 për qind.
Shembulli më i thjeshtë, nëse merr kredi për një produkt deri në 100 euro, kredimarrësi duhet t’i kthejë 174 euro për 1 vit, institucionit ku edhe e ka marrë kredinë, përcjell Buletini Ekonomik.
Në faqen e njërës nga institucionet mikrofinanciare në Kosovë “IuteCredit” në facebook, në disa prej produkteve që ata kanë prezantuar, norma e interesit shkon deri në 74 për qind.
Sipas një produkti që ata kanë paraqitur, që është një telefon Samsung A10 s, klientët për telefonin e njëjtë që nëpër dyqanet e tjera të telefonave kushton jo më shumë sesa 140 euro, do të paguajnë 74 ose 63 euro më shumë për një vit, pasi varet se në cilin Mobilshop e merr telefonin.
Oferta e tyre ishte që për 12 muaj këtë telefon mund ta paguajnë me këste mujore prej 16.99 euro, e që kur llogariten shuma finale del të jetë 203 euro. Pra, 74 euro më shumë sesa çmimi kryesor.
Njësoj është rasti edhe me produktin tjetër siç është Iphone 11 Pro, që në dyqanet e tjera të telefonave mobil kushtojnë jo më shumë sesa 1150 euro, klientët e IuteCredit do të paguajnë gjithsej 1 mijë e 554 euro për një vit, që i bie se ata do të paguajnë 404 euro më shumë sesa çmimi kryesor në dyqane.
Për dallim nga Samsungu i cekur më lartë, oferta për Iphone kishte këstin mujor më të lartë pasi edhe vet çmimi i këtij telefoni mobil është më i lartë. Kjo ofertë prezantonte një këst mujor prej 129.56 euro për 12 muaj, që i bie gjithsej se klientët do të paguajnë 1.554.72 euro për këtë telefon.
Përpos këtyre, një produkt tjetër i IuteCredit që ajo ka paraqitur në profilin e saj është edhe një frigorifer Samsung S10, i cili çmimin aktual në Aztech Electronics e ka 179 euro, ndërsa klientët e IuteCredit me 12 këste me nga 19.84 euro për muaj, do të paguajnë 238 euro në vit, e që i bie se ata do të paguajnë 59 euro më shumë sesa çmimi kryesor i tij në dyqane tjera.
Në pyetjet e Buletinit Ekonomik drejtuar këtij Institucioni mikrofinanciar, Iutecredit, se në çka i bazojnë këto norma të larta të interesit, specialisti i marketingut brenda IuteCredit, Nazim Qarri ka theksuar se çdo raport kontraktual me klientët e saj rreth produkteve, IuteCredit e bënë konform dispozitave dhe akteve nën ligjore të BQK-së.
“Në vijim të kërkesës tuaj, Ju informojmë se IuteCredit Kosovo J.S.C. (IuteCredit) është institucion mikro financiar i licencuar nga BQK, e cila merret me veprimtari afariste, në përputhje me të gjitha ligjet dhe aktet nën-ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Kjo nënkupton se çdo raport kontraktual me klientët e saj, përfshirë informacionin lidhur me produktet që i ofron, IuteCredit e bëne konform dispozitave të këtyre ligjeve dhe akteve nën-ligjore”, thuhet tutje në përgjigjet e IuteCredit.
Sipas tyre, të gjitha këto veprime të IuteCredit, sikurse edhe të institucioneve tjera mikrofinanciare, mbikqyren nga ana e BQK-së, e cila në përputhje me mandatin e saj si Rregullator kujdeset që asnjë institucion i licencuar financiar të mos devijojë nga kërkesat që dalin nga ligjet dhe aktet nën-ligjore në fuqi.
“Andaj, Ju informojmë se çdo veprim i IuteCredit Kosovo
J.S.C. është në përputhje me kërkesat e BQK-së” vazhdojnë përgjigjet e tyre.
Ndërkaq, sa u përket pyetjeve tjera të Buletinit Ekonomik, rreth numrit të
klientëve të saj dhe se sa është vlera e kredive të lëshuara deri më tani nga
IuteCredit, ata kanë thënë se informatat e kërkuara janë informata të brendshme
të institucionit tonë, e të cilat nuk mund t’i bëjnë të ditura për
publikun.
Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime edhe nga BQK-ja rreth aplikimit të këtyre kamatave dhe nëse të njëjtat janë në harmoni me legjislacionin në fuqi, por nuk ka marrë përgjigje. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/