Edhe një protestë kundër rritjes së çmimit për sigurim të veturave


Një protestë tjetër paralajmërohet kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen e çmimit për sigurim të veturave. Pas paralajmërimit të protestës nga grupi “Speedomaniaks” për të shtunën, më 23 nëntor, tani vjen një paralajmërim tjetër për protestë nga grupi i njohur në Facebook “Marakli t’kerreve”, raporton Koha.net. “Marrakli t’kerreve” fton publikisht për protestë paqësore dhe pa kerre te rruga “Luan Haradinaj”, pranë BQK-së, më 22 nëntor (e premte) nga ora 13:00. Gjithashtu, dje kundër vendimit të BQK-së ka nisur edhe një peticion online. Postimi i plotë i grupit “Marakli t’kerreve”, pa ndërhyrje:Ftesë publike për protestë paqësore dhe pa kerre Të gjithë e kemi parasysh që nga data 15 Nëntor ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%. Duke e ditur këtë fakt i cili prek gjepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq, prandaj me datë 22 NËNTOR 2019 (E Premte ) nga ora 13:00 grupi “Marakli t’kerreve” organizon protestë me qëllimin e vetëm, atë të kundërshtimit të këtij vendimi. Protesta do të mbahet në rrugën “Luan Haradinaj” pranë BQK-së. Ne ftojmë çdo qytetar, organizatë, media si dhe çdo palë tjetër të interesuar të na bashkohet në mënyrë që të arrijmë synimet tona”.