KEDS-i aplikon jashtëligjshëm tarifa ndaj bizneseve për kyçje në rrjet

Dhjetëra biznese kosovare dhe të huaja, me të ardhur në Kosovë, po përballen me vështirësi të shumta me rastin e  kyçjes në rrjetin elektrik. Ata po detyrohen të paguajnë mijëra euro vetëm për kyçje në rrjet.

Mirjeta Shabani

Prej kur është privatizuar Distribucioni i Energjisë në vitin 2012, kompania turke KEDS ka aplikuar jashtëligjshëm tarifat me rastin e kyçjes së bizneseve në rrjetin elektrik.

Reklama e sponzorizuar

Në raste, bizneset kanë paguar deri në 7 mijë euro për kyçje në rrjet, ani pse me çmimoret e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) parashihet që tarifa maksimale për kyçje të bizneseve të reja të jetë jo më shumë se 800 euro.

Disa biznese kanë treguar përvojën e tyre për Buletinin Ekonomik, të cilat janë ankuar për shuma të mëdha të mjeteve që po kërkon KEDS-i me rastin e kyçjes së tyre në rrjet, si dhe pagesat shtesë për trafo, përcjell Buletini Ekonomik.

Për secilën kyçje në rrjetin elektrik, të gjitha bizneset janë të detyruara t’i paguajnë taksat për kapacitet dhe taksat e kyçjes, varësisht se në cilin nivel të tensionit është kërkesa e tyre për kyçje, krejt këto të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Por, pronari i njërit nga bizneset, që ka dashur të mbetet anonim, e i cili për këtë ka ofruar edhe dëshmi, ka treguar për Buletinin Ekonomik se jo më pak se dy javë, biznesit të tij i është kërkuar të paguajë fiks 7 mijë e 522 euro, për t’u kyçur në rrjetin e KEDS-it, e përpos kësaj edhe i është dashur ta paguajë edhe Trafon në vlerë të mbi 15 mijë eurove, e cila më pas bëhet pjesë e KEDS-it.

Po ashtu, i njëjti biznes ka paguar edhe rreth 300 metra kabllo nga rrjeti i vet KEDS-it deri te objekti i tij, si dhe instalimin.

 “Se nuk kam qef me fol pa dokumente, kjo është e para dy jave, ku biznesit i kërkohen të paguaj 7522.50 euro, për të ju mundësuar kyçja në rrjet të KEDS-it, plus Trafon mbi 15 mijë euro duhet me ble vet, edhe 300 metra kabëll nga rrjeti i KEDS-it deri te objekti, duhet poashtu vet biznesi me i ble dhe instalu”, ka thënë ky burim.

KEDS aplikoi tarifa jashtë çmimores së ZRRE-së

Që nga privatizimi i Distribucionit, KEDS-i ka aplikuar tarifa paushalle për bizneset.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoret ekzistuese të miratuara nga ZRRE-ja. Aktualisht ekziston vetëm çmimorja e vitit 2005 që ishte miratuar për KEK-un.

Mirëpo, bazuar në dëshmitë që bizneset kanë ofruar për Buletinin Ekonomik, KEDS-i nuk i është përmbajtur të njëjtës.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në ZRRE, Adelina Myrtezaj, ka thënë se varësisht nga lloji i kyçjes së bizneseve në rrjetin elektrik, aplikuesi për një kyçje të thjeshtë apo sipas termave energjetik “Kyçje e cekët” është i detyruar t’i paguaj vetëm ato kosto që shkaktohen nga krijimi i një kyçjeje të re në pikën më të afërt të përshtatshme të rrjetit ekzistues të shpërndarjes të përcaktuar nga operatori i sistemit të shpërndarjes.

Ndërkaq për një kyçje të “thellë”, kreu i biznesit do të paguajë kostot e aseteve të nevojshme për kyçje në pikën më të afërt të përshtatshme të kyçjes në sistemin ekzistues të shpërndarjes, plus kostot indirekte që shkaktohen nga punë të ndërlidhura me përforcimin, zgjerimin apo rikonfigurimin e rrjetit ekzistues, që në këtë rast po del të jenë trafo dhe kabllot shtesë përcjellëse.

“Pra, varësisht nga kërkesa e aplikuesit për kyçje përcaktohet se a kemi të bëjmë me kyçje të cekët apo kyçje të thellë, dhe se nëse kërkesa e aplikuesit nënkupton për të kyçur në rrjetin elektrik nevojitet të vendoset edhe ndonjë trafo, atëherë ato kosto i bartë aplikuesi”, thuhet më tutje në përgjigjet e Murtezajt.

Në këtë çmimore, thuhet se shuma më e lartë për një kyçje në rrjetin elektrik të konsumatorëve të rinj varion nga 600 euro për lidhjen e grupit matës në nivelin 10 kV, ndërsa në nivelin deri në 35 kV shkon deri në 800 euro maksimalja.

Tutje aty thuhet se versioni i ri i kësaj çmimoreje do të publikohet sapo ajo të aprovohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila do të zëvendësojë metodologjinë e vjetër.

Buzhala: Po e presim miratimin e çmimores së re

Ndërsa nga ana e KEDS-it, Viktor Buzhala, njëjtë si edhe Murtezaj, ka thënë se çmimet aktuale janë të trashëguara që nga koha e para privatizimit të KEK-ut.

Por sipas tij, KEDS-i gjatë vitit 2016 ka hartuar metodologjinë e re të cilën e ka dorëzuar per miratim tek Rregullatori dhe e njëjta ka qenë në diskutim publik, por që ende nuk është aprovuar nga ZRRE-ja.

Sipas Buzhalës, në këtë propozim të ri të KEDS-it, nëse taksa e kyçjes për një biznes të madh kushton 20,200 euro (shembull hipotetik) në propozimin e KEDS-it do të kushtojë shumë më pak, pra më pak se 200 euro. /Buletini Ekonomik/