Institucionet shtetërore në Kosovë në nivelin lokal vazhdojnë të punësojnë zyrtarë e punonjës të ndryshëm brenda organeve të veta komunale edhe përtej numrit të përcaktuar me Ligj.
Disa prej komunave në vendin tonë kanë ‘stërmbushur’ zyret e tyre me punonjës, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndër komunat me numrin më të lartë të të punësuarve përtej përcaktimit ligjor është komuna e Ferizajt në krye me kryetarin e saj Agim Aliu. Kjo komunë sipas ligjit ka pasur të përcaktuar numrin prej 2 mijë e 393 për punësime ndërsa e ka tejkaluar për 72 punëtorë, pasi ka punësuar gjithsej 2 mijë e 465 të tillë.
Pas saj renditen komuna e Malishevës me kryetar Ragip Begajn, dhe Vushtrria në krye me Xhafer Tahirin, të cilët kanë tejkaluar po ashtu numrin e punësimeve nëpër komunat e tyre deri në 65 punonjës më shumë sesa që e lejon ligji.
Hiç më larg tyre nuk qëndron as komuna e Gllogovcit (Drenas) me Ramiz Lladrovcin në krye të saj, e i cili për nevoja të komunës së tij ka punësuar gjithsej 51 punonjës më shumë sesa që ia lejon ligji.
Ligji për këtë komunë kishte paraparë një numër të punëtorëve prej 1 mijë e 325, ndërsa kishte punësuar 1 mijë e 376 gjithsej.
Numrin e përcaktuar të të punësuarve e kishin kaluar edhe komunat e reja të formuara tek pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç janë: Komuna e Parteshit e cila ka tejkaluar numrin për 33 punonjës më shumë, komuna e Ranillugut me 31 punëtorë të saj më shumë sesa përcaktimi i ligjit, komuna e Kllokotit me 46 punëtorë më shumë, dhe Hani i Elezit me 30 më shumë sesa që ka qenë ë paraparë. Kurse komuna e Mamushës kishte punësuar vetëm katër persona më shumë në organet e saj komunale.
Edhe komunat e tjera nuk janë në numër të vogël të të punësuarve, duke tejkaluar numrin e paraparë me ligj.
Kështu, Juniku afrohet me komunën e Gllogovcit për mbi punësime brenda komunës së tij, kurse Obiliqi numëron gjithsej 48 punonjës më shumë sesa që duhet në komunën e tij, Gjakova po ashtu 45 punëtorë më shumë, Novobërda vjen me 43, Klina me 36, Istogu me 31, Gjilani me 30, Rahoveci me 28, Vitia me 26, komuna e Shtimes me 23, Lipjani me 19, Suhareka me 16, Mitrovica me 13, si dhe Fushë Kosova me vetëm 9 më shumë.
Këto mbipunësime ndalohen rreptësisht edhe me Ligjin Nr.06/L-133, neni 12, ku ceken edhe Limitet në zotime dhe shpenzime, e i cili thotë se asnjë organizatë buxhetore nuk mund ta tejkalojë numrin e të punësuarve gjatë vitit fiskal, dhe çdo tejkalim i numrit të të punësuarve dhe ndarjeve buxhetore të parapara për çdo program sipas këtij ligji konsiderohet shkelje ligjore dhe do të merren masa ligjore ndaj personave përgjegjës sipas strukturës së Organizatës Buxhetore bazuar në legjislacionin në fuqi.
Për dallim nga komunat e tjera, kësaj radhe Prishtina ka ruajtur bilancin e duhur, pasi te kjo komunë ende ekzistojnë edhe rreth 70 vende të lira për ta plotësuar numrin e të punësuarve sipas ligjit.
Ndërkaq, sa i përket nivelit qëndror tek institucionet e larta shtetërore në vend, asnjëra prej tyre nuk e ka tejkaluar numrin e të punësuarve në kundërshtim me ligjin. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/