Derisa nevoja për mjekë në Kosovë është e madhe, këta edhe më tej po zgjedhin shtetet e Bashkimit Evropian për të punuar. Nga Federata Sindikale e Shëndetësisë kanë thënë se Kosovës i nevojiten më shumë se 5 mijë punëtorë shëndetësorë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova edhe më tej po vazhdon të jetë i njëjtë si i viteve të kaluara. Për shkak të kushteve të punës e për shkak të pagave që u ofrohen në vend mjekët po zgjedhin të punojnë në shtetet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani, nga ku vinë edhe më shumë kërkesa për rekrutim të personelit shëndetësor. Me ikjen e tyre disa herë është alarmuar se Kosova në një të ardhme mund të mbetet edhe pa mjekë.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se për të kryer shërbime të mira Kosovës i nevojiten edhe më shumë se 5 mijë punëtorë shëndetësorë. Ai ka thënë se vendi ka dyfish më pak mjekë të nevojshëm për kokë banori.
“Informacionet e fundit janë që kërkesat nga Evropa janë shumë të mëdha për mjekë dhe infermierë. Duke u nisur nga ajo që ata ua ofrojnë kushtet shumë më të mira, në krahasim me kushtet që i kanë punëtorët shëndetësorë në Kosovë, kjo do t’i gllabërojë këto kuadro nga ne.