Pezullohet përkohësisht vendimi për zhvendosjen e Ministrive për Presidencën

Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton opinionin e gjerë me zhvillimet e fundit në lidhje me protestën që zyrtarët e Ministrisë kanë zhvilluar për 7 ditë pune me radhë, me qëllim kundërshtimin e zhvendosjes së kësaj Ministrie nga objekti ku ndodhet aktualisht, përkatësisht vendosjen e së njëjtës në objekt me qira.

Sipas njoftimit për media, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), pas kërkesës zyrtare të parashtruar nga Këshilli Organizativ i Protestës për menaxhmentin e lartë të Ministrisë, ka mbështetur tërësisht kërkesën në këtë fazë dhe zyrtarisht i ka kërkuar Ministrisë së Administratës Publike (MAP), pezullimin e përkohshëm të zhvendosjes, kërkesë kjo që është pranuar nga MAP-i, e cila çështjen e kohës dhe mënyrën e zhvendosjes e ka lënë në përgjegjësi të menaxhmentit të MKRS –së.

“Këshilli Protestues ka mirëpritur këtë marrëveshje të të dy ministrive, e cila krijon kushte dhe hapësirë për të analizuar edhe njëherë arsyet dhe efektet e zhvendosjes, të cilat mundësojnë një vendimmarrje shumë më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjitha palët”, thuhet tutje në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ministria njofton se Këshilli Protestues, për shkak të kësaj situate, njofton pezullimin e përkohshëm të protestave të përditshme dhe informon se do të vazhdojë të jetë funksional dhe i gatshëm për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve adekuate, të cilat nënkuptojnë rishqyrtimin e tërësishëm të planit për vendosjen dhe akomodimin e MKRS –së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.